Në profilet e revistës Class, në gjithë këto vite, për fat të mirë, ka pasur larmi personazhesh, duke nisur nga ata shumë të njohur deri tek ata që “zhurmën” e bëjnë në prapaskenë – ata që punojnë kokulur, pa kërkuar vëmendje, as duartrokitje, as përfitime të tjera të çfarëdo lloji qofshin. Ka pasur me dhjetëra personazhe të njohur, të cilët suksesin në profesionin e tyre e kanë ndarë bashkë me ne dhe me publikun që i ndjek, por po ashtu ka edhe nga ata që duan të ndajnë me të gjithë edhe momentet e tyre të dobëta për të treguar se, këto të fundit kthehen në një forcë të jashtëzakonshme kur do të ecësh përpara. Dhe, cilado qoftë rruga që ke zgjedhur, nëse ajo kalon përmes arritjeve dhe rrëzimeve, uljeve e ngritjeve, finishi do të jetë gjithmonë i ëmbël... Këtë herë, personazhi që vjen në kopertinë është nga radhët e grave të pushtetshme, nga ato që e gjejnë forcën tek puna dhe marrëdhëniet njerëzore. Sepse këto të fundit janë testi më i mirë i vizionarëve...
Të jesh në krye të një institucioni në të cilin ‘zjarri’ rri gjithmonë i ndezur, nuk është aspak e lehtë, përkundrazi, bëhet edhe më e vështirë kur duket se ‘hiri’ ka mbuluar gjithçka. Ama sfida, këtu nis. Sepse në krye të tij nuk është më një burrë (posti i preferuar dhe i drejtuar në shumë vite nga gjinia mashkullore), por nga një grua. Ajo nuk e pati fare të lehtë ta pranonte postin e ambasadores – jo për përgjegjësitë që ka më shumë sesa për peshën e jashtëzakonshme emocionale që do t’i shtohej duke qenë më afër komunitetit shqiptar në Greqi – një komuniteti që, siç e dimë të gjithë, nuk i ngjet asnjë tjetri për nga problematikat, interesat apo edhe raportet emocionale që lindin natyrshëm me njëri-tjetrin. Luela Hajdaraga e pranoi postin në krye të ambasadës shqiptare në Athinë pas një karriere disavjeçare në administratë dhe në sektorin publik. Roli i saj, gjithmonë në shërbim të qytetarëve, do të kulmonte me një funksion të lartë diplomatik, por ta merrte përsipër nuk ishte aq e thjeshtë: “Ditën kur mora përsipër këtë detyrë, i premtova vetes së fokusi im do të ishin njerëzit, ndaj kam punuar çdo ditë që të nxirrja në pah punën e madhe që bën komuniteti shqiptar në Greqi. Të njëjtën gjë jam përpjekur të bëj në çdo punë dhe pozicion që kam pasur, sepse unë besoj tek ideja se me dëshirën e mirë mund të arrijmë shumë gjëra”.
Luela Hajdaraga u emërua si ambasadore e Shqipërisë në Athinë dy vjet më parë, në një kohë kur ambasada shqiptare në kryeqytetin grek ishte ende një “kështjellë hekuri” për komunitetin tonë atje, ndaj ishte rol sfidues për cilindo që do të pranonte ta merrte dhe ta çonte përpara. Megjithatë, Luela u bë shpejt zëri i të gjithë shqiptarëve dhe nevojave të tyre. Me një eksperiencë disavjeçare në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një karrierë akademike, ajo e nuhati shpejt çelësin e suksesit në një post sa delikat, aq edhe të rëndësishëm – besimi te çdo bashkëpunëtor: “Nëse një drejtues nuk beson tek ekipi i tij, rrallë mund të ndodhë që ai të ketë sukses. Ndaj unë vazhdoj t’i gëzohem suksesit të çdo bashkëpunëtori dhe t’i motivoj ata për të dhënë maksimumin e tyre”.
Ndryshe nga të paktat intervista të dhëna publikisht, Luela është ndalur këtë herë për të folur për sfidat që ka kaluar gjatë këtij 2-vjeçari të parë në krye të ambasadës shqiptare në Athinë, por edhe për të zbuluar detaje të tjera nga pjesa që nuk duket – ajo që gjithmonë është aty, më e lodhshme, por edhe më e bukur. Në një rrëfim ekskluziv për revistën Class, Hajdaraga ndan me lexuesit tanë anën e saj të pushtetshme, por njëkohësisht edhe të brishtë. Kur të dyja ecin paralelisht, fuqia bëhet e jashtëzakonshme, tipike e një emri dhe mbiemri krenar që mban mbi shpinë.

- E morët postin e ambasadores në një kohë relativisht të vështirë për të gjithë Evropën (para pandemisë), si kanë qenë këto dy vite në krye të ambasadës shqiptare në Athinë?
Ambasada në Athinë të ofron mundësinë të ndërtosh marrëdhënie bashkëpunimi dhe angazhimi të përbashkët, në nivel diplomatik, politik, parlamentar, por, mbi të gjitha, të vë në shërbim të komunitetit të madh shqiptar që jeton e punon atje prej vitesh. Fillimet, dihet që janë gjithmonë shumë të vështira, ama pas dy vitesh në këtë detyrë, mund të them se kjo ka qenë një ndër sfidat më të bukura të jetës sime profesionale dhe jam e lumtur të konfirmoj se sot, niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve tona është më pozitiv se kurrë.
- Çfarë ju joshi më shumë kur pranuat postin e ambasadores?
Ajo çka më bëri mua të pranoj detyrën e ambasadores së RSH-së në Athinë ishte natyra specifike e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve, duke vlerësuar si një urë lidhëse ndërmjet tyre komunitetin shqiptar në Greqi, një nga komunitetet më të mëdha jashtë territorit shqiptar dhe minoritetin grek në Shqipëri. Kjo, për mendimin tim, u jep një vlerë të shtuar marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
- Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Greqi, në dukje korrekte, në thelb janë delikate. Si është të jesh në krye të një institucioni, që vazhdimisht ndeshet me ‘provokime’ të dyanshme?
Përpos gjithçkaje, duhet të kuptojmë se Shqipëria dhe Greqia janë partnerë strategjikë, ndajnë të njëjtat interesa dhe sfida, në të mirën e vendeve, popujve dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Ndaj, nëse një ambasador ka dëshirën e bashkëpunimit me vendin ku ai përfaqëson shtetin e tij, ekziston mundësia e hapësirës për dialog duke tejkaluar edhe momentet delikate apo “provokimet e dyanshme”. Më shumë se një detyrë, për mua është një privilegj i veçantë të drejtoj një nga ambasadat tona më të rëndësishme.

- Kishte skeptikë mes radhëve të politikanëve kur ju morët ofertën për të qenë ambasadore? Po nga ata që mendonin se “ky post i duhet besuar një burri”?
Qeveria shqiptare ka në përbërjen e saj shumë gra të suksesshme dhe jo vetëm qeveria, por edhe shumë institucione të tjera po aq të rëndësishme, ndaj mendoj se ky mentalitet është larg vizionit të së ardhmes që ne kemi ndërtuar dhe e ofrojmë si model suksesi edhe për vendet e tjera.
- Përvoja e gjatë në administratë në Shqipëri, por edhe jashtë saj, jua ka lehtësuar apo vështirësuar punën në Athinë?
Që ditën kur mora përsipër këtë detyrë, i premtova vetes se fokusi im do të ishin njerëzit, ndaj kam punuar çdo ditë që të nxirrja në pah punën e madhe që bën komuniteti shqiptar në Greqi. Të njëjtën gjë jam përpjekur të bëj në çdo punë dhe pozicion që kam pasur, sepse unë besoj tek ideja se me dëshirën e mirë mund të arrijmë shumë gjëra. Më besoni, nëse një drejtues nuk beson tek ekipi i tij, rrallë mund të ndodhë që ai të ketë sukses. Ndaj, si atëherë në administratë, si tani në krye të ambasadës së Athinës, unë vazhdoj t’i gëzohem suksesit të çdo bashkëpunëtori dhe t’i motivoj ata për të dhënë maksimumin e tyre.

- Nën drejtimin tuaj, ambasada shqiptare ua ka hapur dyert shumë shqiptarëve, por njëkohësisht është bërë më e hapur edhe sa u përket eventeve dhe datave tona të shënuara. Mund të na përmendni disa prej këtyre organizimeve që kanë lënë gjurmë gjatë këtij dyvjeçari?
Çdo event, aktivitet apo organizim ka rëndësinë e vet dhe jo pak herë kanë shenjuar gjatë detyrës sime në Athinë, por ajo që unë do të veçoja dhe do ta quaja si një arritje, ishte ndezja për herë të parë e sheshit ‘Omonia’ me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar kuqezi me rastin e festave të nëntorit 2021, shesh që personifikon shqiptarët në fillimet e tyre të vështira. Shpallja e Nëntorit Shqiptar dhe aktivitetet e shumta në ambientet e Ambasadës Shqiptare gjatë asaj periudhe u cilësuan nga komuniteti shqiptar si “një rikthim në shtëpinë e tyre”.

- Ku ndryshojnë shqiptarët e Greqisë me ata të Shqipërisë?
Në fakt, nuk ia kam bërë kurrë këtë pyetje vetes, sepse unë besoj se disa gjurmë identiteti mbeten dhe udhëtojnë gjithmonë me ne, pavarësisht se në cilin kënd të botës jemi. Në këtë kuadër, vendet ku shkojmë janë thjesht një vlerë e shtuar e diversitetit tonë njerëzor, i cili e bën më dinamike punën me kulturat e ndryshme.
- Cilat janë nevojat më të mëdha që komuniteti shqiptar në Greqi kërkon më së shumti nga ju?
Komuniteti shqiptar në Greqi, falë punës së madhe, tashmë është një faktor i rëndësishëm në jetën ekonomiko-sociale në Greqi. Por ajo çfarë ata kanë nevojë është mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e njohjes së pensioneve, çështjen e pajisjes me leje qëndrimi dhe ofrimin e mësimit të gjuhës shqipe në sistemin arsimor grek. E para, pas një këmbënguljeje të vazhdueshme nga ambasada dhe bashkëpunimi me institucionet shqiptare dhe greke, filloi të negociohet dhe shpresoj që së shpejti të marrë zgjidhje përfundimtare. Për të dyja pikat e tjera, po punojmë fort që të arrijmë në një zgjidhje sa më të kënaqshme.

- Cilat janë sfidat më të mëdha që hasët në fillim të postit tuaj dhe ato që doni t’i përmbushni patjetër deri në fund të mandatit?
Sfida më e madhe ka qenë vendosja e një raporti besueshmërie dhe bashkëpunimi me komunitetitn shqiptar, ofrimi i shërbimit cilësor lidhur me shërbimet konsullore, të cilin mendoj se së bashku me stafin që drejtoj, e kemi përmbushur. Përsa i përket së ardhmes, është ngritja e Qendrës Kulturore Shqiptare në Athinë, krijimi i Qendrës për Informimin Digjital pranë ambasadës shqiptare, pajisjes me dokumente biometrike të shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke, kthimi në traditë i ofrimit të shërbimeve konsullore në disa ishuj të largët të Greqisë.
- Ju jeni ambasadore rezidente në Greqi dhe jorezidente në Qipro,Tunizi dhe Armeni. Sa dhe si ndikon ndjekja e këtyre marrëdhenieve në të përditshmen tuaj?
Raportet me këto vende, edhe pse në dukje më distante, janë shumë intensive. Mbulimi i tre shteteve të tjera e bën punën më dinamike dhe raportet e vazhdueshme me përfaqësues zyrtarë të këtyre vendeve janë vlerë e shtuar në performancën diplomatike.
Është interesante t’ju tregoj se edhe vizitat e para zyrtare në këto vende, kur më është dashur të paraqes letrat kredenciale, kanë qenë një emocion më vete. Jam mrekulluar nga Tunizia, më ka magjepsur Qipro dhe jam suprizuar nga Armenia. Pasuria kulturore, përthyerjet arkitektonike dhe diversiteti social në këto vende, më besoni, është mbresëlënës.



- Cila është ambicia juaj më e madhe në selinë diplomatike (ose politikë)?
Unë mendoj se e kam gjetur profesionin e jetës sime, sepse kam kuptuar se këtu mund të jem versioni më i mirë i vetes. Nuk më pëlqen fjala ambicie, dashuroj fjalën vizion. E para më kujton se si shpeshherë, ne njerëzit “verbohemi” nga vetë egoja jonë, ndërsa e dyta më bën të kuptoj se kur e ke të qartë pasionin që të shtyn përpara, përshtat kursin tënd për ta bërë këtë vizion konkret.
- E keni ndier ndonjëherë nevojën e ‘vajza e Luanit’ apo gjithmonë jeni prezantuar si Luela?
Babai është figura qëndrore dhe simboli i sigurisë së çdo vajze. Mendoj se të qenit krenare për babain tim nuk më ka penguar të krijoj emrin dhe vendin tim në shoqëri. Por ndihem shumë mirë kur shikoj se babai im, edhe pse i larguar nga kjo jetë, kujtohet me shumë respekt nga njerëzit. Mendoj se kjo është një përgjegjësi e shtuar dhe shtysë që unë të vazhdoj në gjurmët e tij.
- Po ‘presion’ për emrin e babait tuaj keni pasur?
Vite më parë, kur të qenit socialist apo vajza e një politikani socialist, jo pak herë kthehej në presion, por tashmë ajo është një periudhë që i takon së kaluarës dhe unë dua ta lë atje.
- Cila është këshilla e tij që ju shoqëron gjithmonë gjatë punës?
Puna dhe këmbëngulja për ta çuar një punë deri në fund, nuk të lë kurrë pa shpërblim. Eksperienca më ka provuar se vetëm disiplina e fortë dhe qëllimet e qarta, mund të të sigurojnë sukses, këshillë të cilën ua them shpesh edhe më të rinjve që janë plot me pasion dhe dije, por shpesh kanë pak durim për të investuar më gjatë dhe për të pritur rezultatet e dedikimit në një objektiv apo projekt.
- Sipas jush, më mirë grua me pushtet apo grua e pushtetshme?
Një grua me pushtet e gjen forcën tek karrigia e saj, një grua e pushtetshme e gjen forcën tek puna dhe marrëdhëniet njerëzore. Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi i së dytës.
- Është e vështirë për një grua të merret me emigrantët dhe problematikat e tyre (qofshin ato edhe bazike)?
Më pëlqen më shumë termi komuniteti shqiptar në Greqi sesa termi emigrant. Mendoj se çdo lloj raporti apo bashkëpunimi nuk e bën të qenit burrë apo grua, por dëshira për të vendosur një raport korrekt bashkëpunues dhe reciprociteti.

- Si e menaxhoni kohën mes rolit tuaj në ambasadë, gruas dhe nënës në shtëpi?
Dashuria për familjen, dëshira për të pasur një familje të shëndetshme dhe për të qenë një përfaqësuese e denjë e shqiptarëve më mundëson të gjej ekulibrin dhe kohën për të dyja. Kuptohet, kjo me mbështetjen dhe mirëkuptinim e familjes.
- Çfarë bëni për t’i mbajtur të gjitha këto në ekuilibër?
Ambicia për të pasur sukses profesional mund të na bëjë të harrojmë mirëqenien familjare. Ndaj unë gjithmonë i përmbahem parimit se të kesh një ekuilibër të mirë të punës dhe jetës ka efekte pozitive si në mbarëvajtjen e familjes, ashtu edhe të ambientit ku ti punon. Ndaj unë jam një nënë dhe bashkëshorte në familje, dhe drejtuese dhe kolege në ambasadë.
- Keni menduar në ndonjë moment të hiqni dorë, jeni penduar?
Të qenit para një vështirësie, problemi apo sfide, më bën të gjej rrugëzgjidhje dhe jo të dorëzohem.
- Cila është këshilla juaj për të gjithë të rinjtë që synojnë një ditë të jenë politikanë, diplomatë? Një cilësi që duhet ta kenë përherë ‘me vete’...
A e dini se shpesh nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse një nga gjërat që kam pëlqyer më pak në rininë time, ishte qëndrimi moral, ku diktati i këshillave vinte pa pushim ndaj moshatarëve të mi. Për mua ka rëndësi që njerëzit të bëjnë zgjedhje tek të cilat besojnë dhe që i shtyjnë të bëhen versioni më i mirë i vetes së tyre. Thënë ndryshe, nuk ka sukses pa e ditur se kush je dhe cili është kontributi që ti mund të japësh në këtë botë. Duhet guxim të çohesh çdo ditë me besimin që ti dhe aftësitë e tua mund ta bëjnë këtë botë më të mirë. Ndaj, unë në politikë nesër, do të doja të shihja këta individë, të cilët e dinë se investimi më i mirë është investimi tek vetja e tyre.
‘Versioni më mirë i vetes...’ Nuk është e thënë të jesh në krye të një institucioni aq të rëndësishëm sa një ambasadë për të kuptuar se puna jote të bën të jesh versioni më i mirë i vetes. Luela e ka provuar, testuar e përmbushur veten duke ndërtuar raporte të shëndetshme njerëzore, shpeshsherë edhe atje ku duket më e vështirë se kudo. Por ia ka dalë mbanë... Të paktën gjatë dyvjeçarit të parë të punës së saj. Jo sepse është diplomate në Athinë dhe në krye të një ambasade me peshë të madhe, por sepse beson që versioni më i mirë i vetes mund të jesh duke dashur të përmirësohesh dita-ditës për të bërë edhe më shumë, për ta bërë botën një vend më të mirë. Për veten, për ata që të kanë besuar, por edhe për ata që pushtetin nuk e barazojnë me një karrige të përkohshme, por me fuqinë e jashtëzakonshme të shpirtit për të dhënë nga vetja... Siç ka bërë dhe bën gjithmonë edhe Luela.
Credits:
Fotografia: Orsola Mema
Hair & Make up: CLASS Makeup & Hair Studio
Design: Xhesika Berisha