Ndonjëherë mendojmë...
Sa fuqi mund të ketë njeriu?
Sa është në gjendje të përballojë një njeri?
Çfarë është në gjendje të bëj një njeri?
Çfarë është në gjendje të ndryshojë një njeri?
Kemi përballë një grua. Në pamje të parë është një grua që rrezaton energji pozitive, e thjeshtë, e qeshur, me natyrë të çiltër dhe me një shpirt të bukur...
Një grua nga jugu i Shqipërisë, e cila njihet edhe si 'Gruaja e parë e shoqërisë civile në jug'.
Emri i saj është Fatbardha Idrizaj.
Emri Fatbardha nuk përshkruan më së miri fatin e saj, por mund përshkruaj fat për ata njerëz që e kanë patur dhe e kanë pranë.
Për 3 dekada, Fatbardha ka qenë në shërbim të njerëzve. Duke nisur me Qendrën Komunitare në qytetin e Gjirokastrës dhe në Tiranë, një qendër që ndër vite nuk ka shërbyer vetëm për rritjen profesionale të vajzave, grave, të rinjve, por kohët e fundit edhe në misionin për të strehuar viktimat e luftës në Ukrainë, specifikisht fëmijët.
Fatbardha ishte vetëm 25 vjeç kur kishte nisur gjithçka. Filloi si arsimtare, si drejtuese në arsim, drejtuese në Oportunity Albania dhe një ditë braktisi 'çdo gjë' për t'i shërbyer më fortë misionit të saj dhe kjo dominoi të gjithë jetën e Fatbardhës.
Familja e saj kishte privatizuar një objekt të madh në qendër të Gjirokastrës, i cili me punën dhe pasionin e kësaj gruaje, u kthye në një nga vendet më të rëndësishme për të rinjtë që donin mundësi punësimi apo shkollimi në vendet fqinje, për ata që donin të përvetësonin një profesion dhe të qëndronin në vendin e tyre, për fëmijët që donin njohuri në fusha të ndryshme etj. Një projekt që në atë kohë u mbështet drejtpërdrejt nga Ambasada amerikane, dhe Z.Tod Pierc i cili financoi idenë e saj.
Qëndra Komunitare në atë kohë (vitet 95'-96') shërbeu për rreth 380 qytetarë në jug të Shqipërisë, të cilët ishin të etur për dije dhe për ndryshim.
Gjatë luftës së Kosovës, Qendra Komunitare, mirëpriti plot 400 kosovarë, të cilët u strehuan dhe gjetën mbështetje.
Një 'deja vú' përjetoi edhe me luftën e Ukrainës, ku u strehuan plotë 205 fëmijë dhe nëna, të cilët edhe sot e falenderojnë Fatbardhën.
Vetëm nga disa pamje prekëse në ekran, Fatbardha na tregon se gjeti forcën për të shkuar tek ambasadori Ukrainës, për të marrë përsipër këtë projekt, i cili iu besua dhe ajo e kreu me sukses.
Emri i Fatbardhës nuk lidhet vetëm me këtë Qendrën Komunitare, por edhe me projekte të rëndësishme të Antitrafikut, ku ka pritur qindra viktima të trafikimit në një shelter* që ajo ngriti me financim të USAID dhe mbështetjen e tyre në vite.
Në 2012 ajo çel 3 zyra të Ndërmjetësimit brenda Gjykatave, gjithashtu me mbeshtetjen 4-vjeçare nga USAID.
Vetë Zv. Ambasadori amerikan Jardin vizitoi këto zyra dhe vlerësoi misionin e tyre në sistemin e drejtësisë. USAID dhe Zëri Amerikës i ka vlerësuar si një nga historitë e suksesit dhe keshtu u vijua me krijimin e DHKN (Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit) ku Fatbardha është anëtare dhe koordinatore e Kryesisë së këtij Institucioni.
Një qëllim dhe mision edhe për fëmijet me autizëm, të cilët i ka mbështetur që prej vitit 2011. Në fillim 39 femijë dhe 76 fëmijë mbështeten sot në Jug përmes Qendrës që ajo themeloi.
Fatbardha gjithashtu hapi një shkollë private në Gjirokastër, e cila në vitet që operoi kori një sukses të madh, dhe arsyeja ishte një sistem perëndimor që Fatbardha kishte krijuar.
Në mesin e këtij pasioni për të punuar dhe për t'i shërbyer njerëzve, Fatbardha gjendet përballë dhimbjes më të madhe në jetë.
Ajo humbet djalin e saj, i cili sapo kishte hyrë në të 18-tat, në një aksident me gjimnazistët në festën e Ditës së Verës. Edhe emri i tij ishte lulja e parë e agimit dhe e vesës dhe ai iku pikërisht në Ditën e Verës, në ditën e luleve. Fjoridi iku në atë ditë dhe Fatbardhës ju ndal bota në këmbët e saj. Edhe hekuri do të thyej në fakt!
Pas humbjes së djalit, Fatbardha humbet dhe motrën e saj, dhe më pas bashkëshortin.
Po! Një dhimbje që nuk përshkruhet...
Dhe Fatbardha, sot një njeri spiritual, një njeri me botë të madhe, një njeri më forcë të pazakontë, gjen motiv për të jetuar për vajzën e saj të vetme dhe ecën, lufton në të përditshmen për të sjellë risi në shërbim të fëmijëve.
Jo më kot ajo lufton kryesisht për femijët. Në emër të Ridit ajo ndihmon djem të tjerë.
Kështu paralelisht me femijët e Ukrainës është duke mbështetur një Qendër Terapeutike për Fëmijët me Autizëm.
Edhe këtu është një arsye tjetër e saj ...
AUTIZMI dhe lufta me të ishte nje projekt dhimbje dhe dashurie për Fatbardhën:
"Një vit pas humbjes së djalit tim, vjen në jetë djali i motrës sime. Erdhi në jetë si Ai dhe madje lindi me te njejtin muaj qe kish lind Ridi . I ngjan shumë, është indentik me të. Në moshën 2-vjeçare kuptuam se është një fëmij me çrregullim të spektrit autik. Pikërisht në atë moment lindi dëshira për të ndihmuar fëmijët me autizëm..."
Siç tham edhe mësipër Fatbardha krijoi në atë kohë qendrën e parë për fëmijët me autizëm në jug, dhe sot është një nga synimet e saj për ta zgjeruar në kryeqytet.
"Ne në familje i humbëm nga jeta të dy meshkujt e shtëpisë. Na duhej të ecnim. Unë dhe vajza ime Farisja bënim përpjekjen, ajo për mamin, dhe mami për bijën e vetme. Farisja tani është një Psikologe Klinike që në fokus ka fëmijët me çrregullim të spektrit autik."
Në kohën që flasim Fatbardha vazhdon të jetë pjesë e projekteve në mbështetje të Ukrainës.
Në 3 dekada, edhe pse jeta dhe fati e ka përplasur në majat më të mprehta, sërish e ka gjetur forcën për të punuar dhe për të qenë një ndryshim në jetën e dikujt që ka nevojë.
"Unë kam prekur vdekjen me dorë, jam spirituale, ndaj dhe ndjej kënaqësi kur shërbej. Nuk kam më biznese që pas humbjes së djalit. Bëj një jetë të thjeshtë, me shërbime komunitare dhe me sa duket ky do ketë qenë misioni im, sepse kur kthej koken pas, shoh se paskam bërë gjatë gjithë kohës gjëra të njejta dhe e paskam nisë te femijëria e hershme ndihmën dhe kam dal tek brezi i tret përmes Rezidencave të Kujdesit Prindëror, një projekt ky i financuar nga IADSA. Jam e lumtur për misionin tim...Ju kujtoj se çdo gjë në jetë është e shkruar dhe pandryshueshme.."
E mbyllim me këtë mesazh të Fatbardhës, e cila arrin të transmetojë forcë dhe shpresë se njeriu mund të përballojë çdo gjë kur shpirti është kaq i pastër dhe human!
"Ne duhet t'i japim forcë njëri-tjetrit kur rrezohemi, për t'u çuar sërish më të fortë dhe më të gatshëm për t'u përballur me sfidat e jetës."
*shelter - godinë e cila ofron mbrojtje për situata të ndryshme sociale dhe natyrore