"Askush nuk largohet nga shtëpia nëse nuk ndihet si në gojën e peshkaqenit" - Warsan Shire

Nëse je duke lexuar këtë artikull, është e sigurt që ti ose je një emigrant/e ose ke një të afërm që ka emigruar për një jetë më të mirë. Kohët e fundit, braktisja e vendit është cilësuar si një nga fenomenet më shqetësues, që prek çdo vatër e çdo sofër shqiptare, në të cilat ka një pjatë më pak me kalimin e kohës.

Dhe këtë na e solli në vëmendje, Alesia Balliu, një emër me rëndësi në sistemin e drejtësisë, por së fundmi një etap e re dhe intriguese ka nisur për të dhe në politikë.

Alesian e shohim gjithnjë e më shumë pas problematikave më të prekshme në vend.

E gjendur midis botës akademike dhe asaj politike, ajo e koncepton politikën si një sfidë personale, por edhe një trashëgimi familjare.

"Një trashëgimi e cila ka rrjedhur në venat e mia që sapo linda dhe më pas pa e kuptuar, edhe pse isha e fokusuar në profesion, vullneti më thërriste gjithmonë për politik. Mbiemri im, Balliu ishte si një rrugë pa kthim në fatin tim të parashkruar për t’u përfshirë në politik. Për të ngritur zërin për padrejtësitë të cilat po i shikoj çdo ditë. Padrejtësi të cilat po vrasin të ardhmen tonë. Padrejtësi të cilat Shqipërinë po e tkurrin dhe zvogëlojnë. Projekti im i radhës në angazhimin tim në politik do të ketë fokusin kryesor në “plagën e hapur” të shoqërisë shqiptare e cila ka të bëj me shpopullimin. "

Çështja e emigrimit është shumë politike dhe e diskutueshme. Sipas opozitës, më shumë se 500,000 shqiptarë janë larguar nga vendi në dekadën e fundit. Në të vërtetë, nëse totalizoni së bashku numrin e emigrantëve të parashikuar nga INSTAT gjatë 12 viteve të mëparshme, do të merrni më shumë se kaq.

Shqipëria po përballet me një rënie demografike katastrofike si pasojë e uljes së lindjeve dhe rritjes së emigrimit. Çdo ditë qindra të rinj dhe veçanërisht burra largohen nga ky vend. Pavarësisht vendosjes së mjeteve juridike të veçanta, asnjë administratë shqiptare nuk ka qenë në gjendje ta trajtojë atë deri më tani.

Në studimin që po kryen, Alesia arrin në përfundimin se arsyet pse shumica e njerëzve migrojnë janë kushtet e këqija të jetesës, ndjenja e pasigurisë dhe politika e dobët ekonomike dhe sociale. Duhet parashikuar që kjo gjendje të përkeqësohet me kalimin e kohës nëse nuk merren masa të menjëhershme. Politikat e duhura ekonomike dhe sociale duhet të jenë reduktimi i numrit të njerëzve që largohen çdo ditë nga vendi.

"Familja pret me sytë nga dera se kur do hapet e do vij nga emigrimi vajza apo djali. Një mik ose mikesh e jona largohet për një të ardhme më të mirë nga një vend i cili po vret meritokracinë dhe mundësinë. Kjo është Shqipëria jonë fatkeqësisht, një qeveri e cila po largon të ardhmen e vet, energjinë vitale të vendit, të rinjtë. Prandaj angazhimi im në politik do ketë fokusin tek shpopullimi dhe braktisja e vendit, për t'i thënë STOP!"

5 padrejtësitë më të mëdha që u bëhen të rinjve sipas Alesia Balliut:

"Do të tregohem e drejtpërdrejt ashtu si jam në jetën time personale dhe profesionale. Padrejtësitë më të mëdha janë: mungesa e meritokracisë, paga jo dinjitoze, mungesa e institucioneve për të krijuar kushte për rritje profesionale, militantizmi i administratës dhe mungesa e drejtësisë."

Midis 1001 arysesh për t'u larguar, a mund të gjëjmë 1 arsye për të qëndruar?

Atdhedashuria është një armë e fortë por nuk mjafton, sepse jeta është e ashpër dhe të zbeh çdo ndjesi patriotizmi.

"Ajo që unë do të dua ta theksoj, arsyeja pse të rinjtë duhet të qëndrojnë në këtë vend është se ne e kemi mundësinë, dëshirën që mund të krijojmë në të ardhmen një Shqipëri më të mirë, si për ne dhe brezat që do të vijnë. Të punojmë së bashku që këto vështirësi që sot po i përballim ne, mos të përballen brezat që do të vijnë."

Sipas INSTAT, Shqipëria ka një popullsi 9,7 % më pak se në vitin 1989. Pritet që deri në vitin 2031, popullsia të jetë 2.75 milionë banorë dhe një projeksion i OKB-së parashikon që ajo të tkurret në 2.66 milionë deri në vitin 2050.

A mund të ketë një mënyrë për të sensibiluazuar qëndrimin në vend? Bazuar në studimin e saj, Alesia përgjigjet kështu:

"E rëndësishme është që duhet ndryshuar mendësia. Më pas ajo që do të duhet të ndryshojmë është krijimi i kushteve për garë. Konkurrenca sjellë zhvillim dhe për këtë ka nevojë vendi jonë.

Hapi tjetër i padiskutueshëm është rritja e pagave. Një hap i cili jo vetëm do të frenoj largimin e të rinjëve por do krijojë mundësi të reja. Në fund do të ndaloja edhe tek politikat orientuese të cilat do të duhet të drejtojnë të rinjtë drejt tregut të punës."

Kujtojmë se vitin e kaluar Alesia ka shkruar librin e saj të parë, “Tabula Rasa si metodë e ligjvënësit shqiptar”, ku trajton tematika për institucionet dhe paqëndrueshmërinë që kanë pasur ndër vite.

Profesionin e saj, Alesia e krahason me atë të mjekut; sepse sipas saj, siç është jetik shëndeti, ashtu është dhe rivendosja e të drejtave të shkelura. Është pikërisht kjo gjë që e frymëzon dhe i jep kurajë të ecë përpara në rrugën që ka zgjedhur.

Punën dhe ambicien nga vajza të hekurta si Alesia ne e marrim si një dritë jeshile për zgjidhjen e problematikave në vend.