Të jesh ajo grua, që i bën edhe gratë e tjera të mos ndalojnë për të ndjekur ëndrrat, pasionet dhe dëshirat e tyre.

Fundja, po përse duhet të ndalojnë? Cila mund të jetë një arsye aq e madhe?

Fakti që të thonë: "Ti nuk mundesh sepse je një grua, do të jetë e vështirë për ty"?!

Kjo nuk duhet të jetë kurrë një arsye! Dhe këtë mund ta kuptoni pasi të lexoni rrugëtimin e Dorina Shamos.

Sot, një nga emrat më të njohur në fushën e biznesit, Dorina Shamo, është një sipërmarrëse në vazhdim, zotëruese e dhjetra bizneseve të lokalizuara në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Këtu përmendim rrjetin farmaceutik: Farmaci Dorina, Farmaci Mani, Jani Farma, Dorina 2, Farmaci Grupi Mjekësor Komuna e Parisit.

Më pas përmendim dhe suksesin për Klinikat Mjekësore Multidisplinare, si Promed me qendër Fushë-Krujë, Klinika Mjekësore Komuna e Parisit, si edhe klinikat estetike mjekësore, Frontera Tiranë dhe Frontera Fushë-Krujë.

Gjithashtu Dorina ka zotëruar një depo farmaceutike, e cila 5 vitet e para kishte produkte farmaceutike të 4 kompanive italiane & produkte mjekësore, dhe prej tre vitesh është distributori kryesor i 9 kompanive multinacionale, me pajisje mjekësore kryesisht Laser, duke filluar nga DEKA LASER dhe shumë të tjera.

Këtë bisedë me Dorinën e zhvilluam në një ambjent, ku sapo hyn, çdo gjë rreth teje duket më pozitive. Buzëqeshje, mikëpritje, ngjyra, profesionalizëm dhe shërbim i dedikuar. Ne ishim tek Frontera Medical & Spa, një nga frytet e kësaj gruaje të suksesshme, që shikohet sot si një zgjidhje për estetikën dhe relaksin e dhjetëra klienteve.

"Edhe bizneset e mia janë një mundësi për të dhënë jëtë. Dhe fakti interesant është që përpos bizneseve të para, e gjithë pjesa tjetër ka qënë, targetimi dhe marrja e bizneseve në prag falimentimi, blerja, ngritja e tyre, kthimi në biznese të suksesshme dhe mënyra për ta arritur është një balancë e të gjithë komponentëve që zgjodha të ndaj me ju."

Në vitet e fundit investimi i saj, në biznese të reja po pëson një zhvillim me ritëm të shpejtë. Dorina është aktivisht pjesëmarrëse në zhvillimin e tyre si CEO e grupit të saj të bizneseve. 

Dikur një vajzë e vogël me ëndrra të mëdha...

E rritur në një familje me shumë fëmijë, duke e përshkruar veten në fëmijëri si një fëmijë i qetë, në kontrast me rebelizmin që do të shfaqet përgjatë periudhës së adoleshencës.

Figura qëndrore që do të shënjonte fëmijërinë dhe të ardhmen është figura e babait.

Në këtë rast, figura e babait është ajo që përcjellë vlera si integriteti, vendosmëria, disiplina, kultivimi i miqësisë dhe mirënjohja.

Cilësia është një tjetër vlerë morale që Dorina e ka e trashëguar nga babai.

"Një nga gjërat që babi nuk do të negocionte në punë ishte cilësia. Dhe sot ky është parimi im kryesor, në çdo drejtim, në jetën e biznesit dhe atë personale."

Midis vlerave pozitive, një tjetër stimul që e shtyti drejt mposhtjes së çdo barriere, ishte pritshmëria e tij e ulët prej faktit që ishte vajzë.

Po, e lexove saktë!

Dorina na rrëfeu se babai kishte pritshmëri te ulëta në suksesin e saj, për arsyen e vetme se ajo ishte grua, dhe bota e biznesit për gratë është e ashpër.

Sa shumë kënaqësi kur je në retrospektivë dhe shikon se në cilën pikë ke arritur në biznes!

Nga ajo vajza studente që mori iniciativën për të hapur farmacinë e parë me kundërshtimin dhe dyshimin e babait në këtë grua të suksesshme që ne shohim sot.

"Sot shoh rezultatet e ngritjes së biznesit në 3 fusha të ndryshme: farmaceutikë, mjëkësi, estetikë e avancuar tashmë dhe jashtë territorit shqiptar dhe 130 njerëz të punësuar. E përulur ndaj kërkesave të reja që lindin dhe e hapur për sfida. Në të tashmen ndjej një maturim të shtuar në mënyrën time të të qënurit dhe bërit biznes. Jam më e vetëdijshme mbi vlerën e kohës sime."

Përveç këtyre sukseseve në biznes, duhet të theksojmë, suksesin e Dorinës si nënë e dy fëmijëve. Pas çdo sfide, ajo ka qenë gjithnjë një model i jashtëzakonshëm, duke e rritur djalin dhe vajzën e saj me dashuri dhe vetëbesim.

Çfarë mësuam për Dorinën në këtë intervistë:

Vendosmëria!

Vendosmëria është një nga tiparet e para që më karakterizon. Nëse më pyesin se çfarë më ka bërë të eci në një rrugë kaq të gjatë, përgjigja e parë që më vjen në mendje është vendosmëria. Të thënurit po mundësive sa herë që ato shfaqeshin. dhe të thënurit jo edhe në rastet kur ka patur përfitime të mëdha, por kanë qenë në kundështim me parimet e mia. Të thënurit po riskut, të thënurit po të paditurës dhe gjithë gjërave të reja që do të më duhet të mësoja sa herë që ndërmerrja një iniciativë të re.

Kurioziteti

Jo thjesht kurioziteti, por dëshira për të mësuar dhe fakti që mësoj shpejt. Sa herë jam futur në një fushë të re, kurioziteti dhe deshira për ta mësuar më udhëheq për t'u përfshirë në detaje, dhe mësoj shpejt derisa të më bëjë sens plotësisht mënyra e funksionimit të gjërave.

Vetëbesim!

Çdo gjë fillon nga vetja. Më parë duhet të bindësh veten që mundesh e më pas të bindësh njerëzit rreth teje. Mbas një periudhe situatash ku vihesh në provë dhe ia del, këto besime të mëparshme kthehen në tipare të asaj çfarë t'i përfaqëson.

Burimi i forcës përmes sfidave

Humbje e njerëzve të afërm nga jeta, humbje financiare në mënyrë aksidentale, sfida personale dhe beteja me një sëmundje të rëndë. Nga këto unë kam dalë më e fortë. Me një forcë dhe aftësi të shpejtë për t'u ringritur. Dua të them që pas këtyre përballjeve, kam një tjetër qasje dhe botëkuptim për jetën, që mua më motivon çdo ditë e më tepër.

Marr më të mirën edha nga ata që mendojnë ndryshe nga unë

Mësoj shpejt nga të gjithë njerëzit, dhe nga ata që kanë mendime ndryshe nga unë.

Unë përpiqem të mësoj nga çdo eksperiencë dhe çdo njeri!

Konkurrenca për mua është adrenalinë!

Fokusohem tek sfidat e biznesit dhe i kthej në një stimul ose motiv për të vazhduar përpara.

Në lidhje me konkurrencën mendoj se rrugëtimi i gjithsecilit është i ndryshëm dhe fokusi kryesor për të zhvilluar gjërat tona duhet të mbetet brenda rrethit tonë.

Pasioni për gjërat që bëj

Nuk mund të gjesh sukses në gjërat që bën, nëse aty nuk jeton pasioni. Vizioni jonë duhet të jetë unik dhe ne duhet t'i duam gjërat që bëjmë dhe kjo më lejon të jem e hapur ndaj çdo barriere dhe të jap shuµë nga vetja. Rrugëtimi jonë me suksesin fillon dhe mbaron tek vetja.

Mendoj që për të arritur suksesin e vërtetë duhet të kemi një sens vetëmjaftueshmërie që nuk cënohet nga asgjë. Dhe kjo vlen dhe për gjërat pozitive dhe ato negative.

Pa limite shpejtësie! (Unstoppable)

10 biznese në 10 vite, gjë që e kam arritur përmes gjërave të lartpërmendura dhe të qenurit praktike. Unë jam e prirur ndaj zgjidhjeve dhe nuk i jap vetes kohë për diçka jashtë kësaj. Edhe në të ashtuquajturat situata të vështira unë nuk i jap vetes kohë për asgjë tjetër përvecse gjetjes së zgjidhjeve dhe lëvizjes përpara.

Pas këtyre arrijmë në përfundimin që kemi përballë një grua me 3 cilësi: një nënë të mrekullueshme, një grua të suksesshme në karrierë dhe një femër në Class.

"Të gjitha vajzat duhet ta gjejnë atë që duan dhe në fund të bëjnë vetëm atë që duan. Vetëm në këtë mënyrë mund të kesh sukses."- përfundon Dorina Shamo për Revistën Class.