"Ndonjëherë jeta të çon në një tjetër drejtim, por kurrë mos e humbni fokusin e qëllimit tuaj..."

Kështu është shprehur diku Afrona Dika, e cila së fundmi ka një rikthim të bujshëm në mediat shqiptare.

Romanca, martesa, mesazhe dashurie, përballje me paragjykime, përballje me një mentalitet të ashpër, dhënia e një shembulli të mirë, divorci...dhe së fundmi, Afrona në një jetë të re.

Afrona ka kaluar në shumë hapa, të bukur dhe sfidues dhe në secilin prej tyre, ka dhënë modelin më të mirë për çdo vajzë që gjendet në rrethana të njëjta.

Pas divorcit me këngëtarin Blero Muharremi, në maj të vitit 2022, Afrona qëndroi larg, për t'u rikthyer më pas me shumë Class në dy drejtime, në dashuri dhe biznes.

Çdo rast që hasim nga personazhe të njohur na tregon se, një divorc nuk nënkupton se jeta juaj ka mbaruar.

Madje kështu si në rastin e Afronës, ju gjeni suksesin në drejtime të reja dhe patjetër që dashuroni sërish, në një mënyrë ndryshe dhe me më shumë besim në vete.

E veshur me një xhaketë me motive klasike, e grimuar pa u larguar nga bukuria e saj natyrale, Afrona me qetësinë dhe pozitivitetin e saj na rrëfeu disa detaje të reja.

Të gjithë e dini tashmë që ajo është e dashuruar, por ka zgjedhur që me publikun të ndaj vetëm ndjesinë e saj dhe asgjë më tepër.

Në fakt ka edhe disa gjëra që i ka rrëfyer vetëm për Revistën Class, dhe jo vetëm në dashuri, por edhe në biznes.

Cila ishte ajo gjë që mendoje çdo ditë në periudhën që njihet si post-ndarje?

E kam thënë dhe më parë që nuk ishte një periudhë e lehtë. Puna, ishte ajo që më bëri ta kaloj sa më lehtë dhe sa më mirë. Gjithashtu familja dhe shoqëria ime e ngushtë kanë qenë pranë meje, duke më dhënë më shumë motiv për ta lënë pas të kaluarën dhe për të ndjekur qëllimet e mia të reja.

A ka diçka në të kaluarën që do të doje ta ndryshoje?

Po, ka! Nëse do të kthehesha pas, nuk do nxitohesha për disa gjëra. Do mendohesha më mirë dhe më gjatë, për ato veprime që ndikojnë në të ardhmen. Por nuk duhet të harrojmë që disa gjëra thjesht ndodhin, nuk mund të kemi kontroll mbi gjithçka.

Para se të kalojmë tek jeta e re e Afronës, cili është mesazhi që mund të japësh për dikë që po kalon një periudhë të vështirë ashtu si ti?

Provo ta mbash fokusin te vetja dhe ndjenjat e tua, duke mos u ndikuar prej të tjerëve apo prej rrethanave që krijojnë të tjerët. Kur them fokus te vetja, kij parasysh të bësh gjërat që të bëjnë të ndihesh mirë. Për shembull sport, lexim, një ecje në natyrë, patjetër shoqëri e mirë dhe padyshim mundohu të jesh e rrethuar nga pozitiviteti, pra persona pozitivë.

Një partner i ri në jetën tënde, cila është fjala e parë që të vjen në mendje për të na e përshkruar?

Gentleman i vërtet! (happy face)

Çfarë e bën një partner ideal për Afronën?

Në fakt do thoja që partner ideal nuk ka, por vëmendja ndaj njëri-tjetrit, përkushtimi, respekti dhe të gjesh kompromis në një lidhje i afrohet sadopak ideales. Në këto momente unë po i jetoj këto ndjesi dhe ndihem shumë e lumtur.

Deri më sot nuk e ke zbuluar identitetin e tij në rrjete sociale, është kjo një zgjedhje e jotja apo e tij?

Ështe zgjedhje e përbashkët, ashtu si shumë të tjera.

Ka një arsye pse po zgjedh të ruash një marrëdhënie private?

Përvojat në jetë të mësojnë të dish ta ruash jetën private. Mbase edhe vet emri privacy, i takon vetë çiftit dhe duhet të ngelet ashtu.

Na zbulo një nga dëshirat që ke për të ardhmen? Mos ndoshta është një bebe?

Po, dëshira ime më e madhe është të bëhem nënë dhe të krijoj familjen time.

Grace Aesthetic, një klinikë dedikuar bukurisë, si lindi kjo ide?

Po e nis përgjigjen duke ju njohur me ortaken time të biznesit, Nadiren, të cilën e njoh prej 10 vitesh. Kam qënë klientja e saj e rregullt. Ndërkohë mes nesh u krijua një marrëdhënie jashtëzakonisht e fortë. Gjithmonë kam besuar në punën dhe duart e saj magjike për estetikën.

Një ditë në sallonin e saj na erdhi një ide, po sikur të bënim diçka të mrekullueshme së  bashku me forcat dhe kreativitetin tonë. Dhe kështu lindi: Grace Aesthetic nga një ide e çastit u bë realitet!

Sfida më e madhe e një gruaje në biznes sipas teje...

Është sfidë e madhe ta krijosh, por më shumë është ta mbash atë biznes, është përkushtim i jashtëzakonshëm, sepse gjithmon duhet të jesh qëndra e vëmendjes. Pra siç thashë, duhet përkushtim, seriozitet, edhe në të njetën kohë duhet t'i përkushtohesh familjes apo partnerit.

Vendosmëria ime është kusht për të patur arritje në biznesin tim dhe gjithashtu uroj që të jem frymëzim për shumë vajza dhe gra që duan të investohen në fushën e biznesi.

A është Grace një ëndërr e realizuar për ty?

Është një ëndërr e realizuar dhe e pafund në të njëjtën kohë.

Çfarë të motivon çdo ditë?

Motivi im është puna dhe familja, por gjithmonë duke qenë falenderuese ndaj Zotit, më jep motiv për çdo ditë.

Një nga sekretet e bukurisë tënde e zbuluam, patjetër që janë trajtimet në Grace, por duam të na tregosh diçka tjetër?

Edhe përpara Grace, unë gjithnjë jam kujdesur për lëkurën. Normal që ka dhe periudha, që si të gjithë e lëmë pasdore, por nuk duhet të harroni vajza që më e rëndësishme është mirëqënia mendore. Kujdesuni çdo ditë për veten dhe largohuni nga aty ku nuk ndiheni vetvetja. Bukuria fillon nga mënyra e të menduarit dhe të perceptuarit gjërat...

 

A ke menduar të sjellësh një 'Grace' në Shqipëri?

Ka mundësi, pse jo...

Afrona, nuk do 'zhdukesh' sërish për dy vite apo jo?

Jooo, sepse vetëm sa kam nisur me projektet dhe kemi disa plane të tjera dhe dëshira ime më e madhe, akoma nuk më është realizuar, por shumë shpejt do të ndodhë edhe kjo...