"Muzika në jetën time është një rebele që bën si i do qejfi. Ajo vjen, ikën, ndonjëherë zhduket për kohë të gjatë për tu rikthyer pastaj papritmas sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj më shumë se sa plane unë uroj që ajo të mos më braktisë kurrë. Pikërisht nga ky raport që unë kam me muzikën lindi kënga “Luaj me mua” ku i drejtohem asaj:

-“Luaj me mua muzikë

Rri me mua mos ik”...


Kjo përgjigje është përkufizimi më i mirë që Arbër Skënderaj mund t’i bëjë artit të tij. Të bërit muzikë për të ndryshon nga pjesa më e madhe e artistëve. “Muzikën time në treg e dallon fakti se ajo nuk është aspak e kushtëzuar nga tregu.”-thotë ai në një intervistë ekskluzive për ‘Revista Class’.  “Kjo ndodh për faktin se unë kam luksin e madh të mos ta shndërrojë atë në zanat dhe është pikërisht për këtë arsye që ajo arrin te dëgjuesi e virgjër ashtu siç lind nga mua.”

Ndoshta pikërisht pasioni dhe dëshira e tij për të shprehur veten nëpërmjet muzikës dhe jo këmbëngulja për të qenë ‘mainstream’ depërtoi te unë ashtu si tek shumë të tjerë, në 2018, kur Arbëri publikoi këngën e tij të parë “Brilla”.

Një këngë për të cilën nuk të duhet të dish italisht që të rrënqethesh, e të afeksionohesh me artin e zërin e tij. Debutimin në muzikë, Arbëri e përshkruan si një urgjencë të fortë për t’i bërë dedikim nënës së tij pas ndarjes së parakohshme të saj nga jeta.                               

Unë nuk mendoj se kam debutuar vonë… dhe këtë nuk e them sepse ndihem shumë më i ri se sa mosha ime anagrafike(qesh), por sepse për mënyrën si unë jam i gatuar karakterialisht dhe për si një seri motivesh e rrethanash në rrugëtimin e jetës sime, më detyruan të kem të tjera gjëra në plan të parë, nuk pata kurrë brenda meje një urgjencë aq të fortë sa ajo e dëshirës për t’i bërë një dedikim nënës sime që na kishte lënë para pak kohe. Ajo urgjencë nuk pyeti fare as për mëdyshjet e as për pasiguritë e mia, kaloi gjithçka në plan të dytë, shkelmoi portën e doli jashtë meje duke më komanduar. Nuk është kurrë vonë për të debutuar!  Është thjesht momenti i duhur.”

Lidhja e tij me muzikën është gjenetike. Të paktën ai kështu e përshkruan. “Kam bindjen se lidhja ime me muzikën është thjesht gjenetike sepse sinqerisht nuk mbaj mend ndonjë event apo moment të veçantë që të ketë ndezur ndonjë skutë të errët në shpirtin tim apo mbushur ndonje boshllëk në të. Muzika ka pasur gjithmonë një vend kryesor në jetën time. Nëna edhe babai na kanë kënduar një repertor të gjerë këngësh gjithmonë që në moshë fare të herët, dhe di që në mënyrë të veçantë nëna më këndonte këngë qytetare vlonjate që gjatë shtatëzanisë.”

E po aq të larmishëm janë edhe artistët që kanë influencuar muzikën e Arbërit. Influencën e tij muzikore na e përshkruan si pikturë abstrakte shumëngjyrëshe. “Unë jam ai që në vitet e para të adoleshencës haja vetëm bukën e Heavy Metal. Unë jam po ai që më vonë mahnitesha e rrënqethesha nga mbreti i Pop-it Michael Jackson. Unë jam ai që kam dëgjuar e kënduar pa fund këngë qytetare e polifonike labe. Unë jam ai që bashkë me Valbonën bashkëshorten time nuk kam lënë këngë pa degjuar të Backstreet Boys-ave e Britney Spears-it(qesh), albumet e Tracy Chapman, Celine Dion e Laura Pausini. Dhe jam unë po ai që bashkë me dy djemtë e mi Daniel e David dëgjoj me kënaqësi kengëtarë të Rap-it e Trap-it aktual. Kur standardet e muzikës janë të larta për mua nuk ka rëndësi se kujt zhaneri ajo i përket. Jam i influencuar nga të gjithë artistët që kanë lënë pas një epokë e gjurmë të thella në historinë e muzikës.”

Për Arbërin nuk ka një proces preciz krijues të cilin e ndjek por në pjesën më të madhe të rasteve çdo gjë nis nga një frazë që mund të ketë të bëjë me të, me diçka që ai ndjen, me pasione, sfida apo evente që e prekin brenda. “Kjo frazë dhe melodia që unë i përshtas asaj bëhen shtylla kurrizore e këngës, refreni i saj. Pjesa dërrmuese e krijimtarisë më vjen kur stakoj mendjen nga angazhimet e përditeshme të punes apo familjes dhe kjo ndodh shpesh kur dalë në natyrë e nxjerrë për shëtitje Miele-n qenin tim. Emri i tij në shqip përkthehet Mjalti për shkak të ngjyrës së tij por që në këto 9 vite bashkëjetese ai ka demostruar se jo rastësisht mban atë emër pasi edhe karakteri i tij është i ëmbël si Mjalti. Jam një autodidakt total aq i çuditshëm sa që shpesh çuditem edhe me veten time.”-na tregon ai.

Nuk shkoj kurrë në studio për të realizuar këngën pa e kompletuar atë në mendjen time. Kur shkoj në studio te miku im Franko në Firenze kam çdo gjë gati, tekstin, melodinë si edhe nje ide të përgjithshme se si do ta doja bazën muzikore. Është për të nënvizuar se Franko është tepër i zoti për të lexuar e realizuar idetë e mia me një profesionalizëm të pashoq në harkun e një kohe shumë të shkurtër.”

Tekstet e tij prekin sfida dhe përjetime personale. E jo vetëm.. Vetëm pak javë më parë Arbëri lançoi projektin e tij të fundit “Pasioni Ynë” e cila trajton në mënyrë poetike e me delikatesë argumentin eros.

Por, si i qaset Arbëri shkrimeve të këtyre temave dhe çfarë shpreson të arijë me muzikën e tij? “Tekstet e këngëve të mia janë thjeshtë si ajo urgjenca për të cilën të fola më lart që pa kërkuar lejekalimi në mënyrën më spontane dalin nga brenda meje me dëshirën për tu bashkëndarë me sa më shumë persona. Është sodisfaksion i madh kur sheh se një krijim, mendim, opinion apo eksperiencë e jotja pëlqehet, bashkëndahet nga të tjerë e ndikon pozitivisht në jetën e tyre. Ky besoj se është qëllimi kryesor që çdo artist do të donte të arrinte me muzikën e tij.”

Të përkufizosh suksesin është padyshim relative. Në këndvështrimin e Arbërit që të jesh artist, me artin tënd duhet të prekësh në shpirt njerëzit, të hysh brenda tyre, t’i emocionosh, t’i rrënqethësh, t’ua konfirmosh akoma më fort bindjet e tyre apo edhe t’ua kthesh ato përmbys.

“Të jesh i vetëdijshëm se çdo gjë që t’i krijon e ndërton nuk është vetëm e jotja, ajo u përket të gjithëve. Për t’ua bërë sa më të qartë se si e përkufizoj unë suksesin si artist do t’ju jap një shembull dhe për këtë nuk më duhet të shkoje aspak larg e të jem aspak modest.

E njihni një farë Alban Skënderaj? (qesh)

Sigurisht që e njihni, është vëllaçkua im!? Ai është shembulli më i denjë i përkufizimit të suksesit si artist. E ka shndërruar artin e tij në zanat dhe ia ka dalë t’i vendosë këtij zanati frerë duke mos e lejuar t’i deformojë imazhin apo t’i modifikojë karakterin dhe mbi të gjitha duke mos lënë në plan të dytë vlerat më kryesore  të jetës siç janë familja dhe shembulli i mirë i edukatës qytetare duke përcjellë në tekstet e tij një mori mesazhesh pozitive e motivuese. Po ju them një sekret! Unë jam zyrtarisht fansi i tij numër 1 sepse i kam qenë pranë që në hapat e para dhe më pëlqente pa masë që kur vërtet nuk e njihte askush tjetër përveç meje.”

Mes qindra komentesh në YouTube, shumë shkruajnë se e ngatërrojnë zërin e Arbërit me Albanin. Gjë për të cilën Arbëri thotë se kanë pak ngjashmëri gjenetike por nuk janë njësoj deri në pikën sa t’i ngatërrosh. Ai shton: “Zëri dhe mënyra ime e të kënduarit janë pak profesionale pasi unë nuk kam marrë kurrë leksione për kanto. Albani më ka ndihmuar edhe më shumë nga ç’unë i kam kërkuar për të promovuar këngët e mia në kanalet e tija sociale dhe duke qenë se emrat tanë janë dhe tingëllojnë shumë ngjashëm dikush që nuk i kushton vëmendje këtyre detajeve është gjithashtu i pavëmendshëm të bëjë edhe dallimin midis dy zërave.”

Përsa i përket një bashkëpunimi të mundshëm mes tyre, as Arbëri e as Albani nuk kanë ndonjë urgjencë apo ambicie, por të dy nuk e përjashtojnë faktin se nëse ndonjë ide për të realizuar një duet do u trokasë në derë sigurisht do t’ia hapin derën.

Nuk do gënjejmë, do donim shumë t’i shihnim të dy në një projekt të përbashkët, por gjithsesi shijojmë artin e tyre personal dhe urojmë të shohim sa më shumë këngë nga të dy.

Ky është Arbër Skënderaj.