"Ishte një vendim që erdhi shumë papritur. Nëse do më pyesnit para 5 vitesh nuk do ta besoja as vetë që do vinte dita të bëhesha pilote. Por është vendimi më i bukur që kam marrë gjithë jetën time."

Të gjitha ëndrrat tona bëhen realitet nëse kemi kurajon t'i ndjekim ato, ka thënë Walt Disney. Kurajo që nuk i mungoi Nabjana Shabanajt, e cila bëri realitet ëndrrën e saj më të madhe, që prej vitesh qëndronte aty e kyçur në sirtar. Ajo beso te "krahët e saj" dhe zbuloi se mund të "pushtonte qiellin".

"Mendoj se ka qenë një ëndërr nga ato që mendon se do rrinë gjithnjë në sirtar, derisa një ditë mësova që ishte mundësia të ndiqej edhe nga Shqipëria. E nisa duke e menduar shumë më të lehtë, pa llogaritur shumë pjesën e kohës jashtë shtetit (pasi praktika dhe provimet bëheshin në Romë). Por mendoj se shtysa kryesore ka qenë pjesa e patentës detare dhe ndjesisë së lirisë që të jep lundrimi. Ndoshta kam kërkuar të gjej një formë të ngjashme adrenaline."- na tregon ajo.

Nabjana do liri, ajër, aventurë...dhe i gjen ato si në det ashtu edhe në qiell. "Si deti edhe qielli janë terapi për mua, më relaksojnë dhe më shkëpusin nga bota."

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Nabjana Shabanaj (@nabjanas)

Por, në zemrën e çdo piloti qëndron një emocion që vetëm qielli i hapur mund ta dhurojë.

"Adrenalinë më të madhe sigurisht ka qielli pasi avioni ka disa momente si ngjitja, ulja, manovra të ndryshme në fluturim të cilat kanë rrezikshmëri e adrenalinë më të lartë se lundrimi. Por, nuk mund ta mohoj që edhe lundrimi më jep kënaqësi e adrenalinë të jashtëzakonshme, nuk do hiqja dot kurrë dorë prej tij."

E kush do ta mendonte që një guximtare që përplas krahët në qiell e i bën ballë dallgëve të detit, u trembet rrugëve të tokës. Një patentë detare dhe një ajrore, por Nabjana nuk mund t'i japë makinës.

"Nuk di ta shpjegoj por makina më jep një ndjesi të keqe kur jam shofere e saj, sidomos në Tiranë. Ndihem sikur transformohem në dikë që nuk më pëlqen fare sapo prek timonin, nuk ndihem vetvetja por dikush që është e acaruar dhe e nxehur me botën. I kam shumë zili femrat shofere pasi kanë një qetësi dhe siguri në timon të cilën unë nuk do mund ta kem kurrë."-thotë ajo.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Nabjana Shabanaj (@nabjanas)

E pikërisht prej këtu lindi edhe skepticizmi i familjes së saj, kur Nabjana donte të fluturonte.

"Familja fillimisht ishte skeptike dhe u dukej si një dëshirë që do shuhej shumë shpejt,"- tregon ajo, duke shtuar: "Por kur e panë kënaqësinë që më jepte dhe sa me pasion flisja për fluturimet e mia sa herë kthehesha, më mbështetën dhe më shtynë që mos ta lija përgjysmë pavarësisht vështirësive që hasa rrugës."

Dhe po, pavarësisht se flet me kaq pasion e dashuri për ëndrrën e saj, nuk do të thotë se nuk ka patur vështirësi. Duke na treguar për disa nga vështirësitë më të mëdha të këtij profesioni, ajo pranon se "si fillim duhet të kesh pasion fluturimin pasi avionët e vegjël mund të japin ndjesi frike për dikë që është në mëdyshje në lidhje me pilotimin. Kam njohur studentë të cilët pas fluturimit të parë tërhiqeshin pasi u dukej e frikshme. Një kriter tjetër qe do veçoja është stomaku, duhet një stomak çeliku të përballosh gjithë stimulimet e rrëzimit të avionit apo uljeve të emergjencës. Gjithsesi, unë personalisht mendoj se pjesa teorike është pjesa më e vështirë e gjithë rrugëtimit, sidomos pasi testet janë në gjuhë të huaj dhe shpeshherë jo të mirëpërshtatura."

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Nabjana Shabanaj (@nabjanas)

E kur vështirësitë tejkalohen, mbijnë frytet, emocionet e papërshkrueshme e kujtimet e paharrueshme...

"Momenti dhe kujtimi më i bukur jo vetëm i aviacionit por i gjithë jetës sime është fluturimi im i parë solo(fluturime solo janë fluturimet vetëm të cilat bëhen vetëm pa instruktor, para se të merret licensa, prandaj përdorim termin “solo” dhe jo “vetëm” pasi je ende pa marrë licensën. Pasi merret licensa quhen fluturime vetëm). Është një emocion dhe adrenalinë e pakrahasueshme. Kur kam bërë uljen e parë solo dhe kam ndjerë rrotat e avionit që prekën tokën, doja të qaja nga gëzimi. Por nuk mundesha sepse duhet të kontaktoja kullën për protokollet përkatëse. Instruktori im ishte pilot ushtarak, tepër i sertë në mësimdhënie dhe nuk toleronte gabime. Kur ai më ka dhënë gjykimin si një solo e parë shumë e mirë, më ka dhënë një vetëbesim të jashtëzakonshëm."- na rrëfen Nabjana e cila pastaj veçon pamjet fantastike që mund të shihte gjatë praktikës pasi thotë se ka fatin që fluturon në lartësi jo shumë të mëdha dhe ndërtesat apo bukuritë natyrore duken shumë qartë nga kabina.

Deri tani ajo ka fluturuar me avione Tecnam P92, Cessna dhe me simulatore Airbus. Licensa e saj është VFR (visual flight rules, pra jo instrumentale) dhe monomotorr. Por, një fluturimi i saj solo i ka dhënë një miksim ndjesish, pasi le të themi që moti vendosi t'i vështirësonte disi udhëtimin atë ditë. "Ndodhi që papritur moti u bë shume i rrezikshëm. Lart kisha stuhi ndërkohe që poshtë isha shumë afër me malet dhe mu desh të fluturoja brenda stuhisë. Ishte kaq e bukur dhe kaq e frikshme njëkohësisht." Si pilote në komandë Nabjana ka fluturuar vetëm në Itali, por ëndërr thotë se ka të fluturojë në qiejt e Shqipërisë.

"Rutina e një piloteje nis me një SPF 50 se dielli nuk të fal në avion, më pas përgatitet navigimi duke përllogaritur distancën, kohën dhe karburantin e nevojshëm për destinacionin ku duam të shkojmë. Kontrollohet fizikisht avioni, njoftohet kulla dhe jemi gati."

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Nabjana Shabanaj (@nabjanas)

Për të fluturimi nuk është aq i rrezikshëm sa mendohet. "Ka reputacion të keq, e pranoj, por personalisht më tremb më shumë makina për shkak të probabilitetit të madh që ka për aksidente, shumë më të madh statistikisht se avionet." Ndaj ajo këshillon të gjitha vajzat dhe gratë që si ajo ëndërrojnë të bëhen pilote, "të provojnë çdo gjë të bukur që i bën të ndihen mirë pa i vënë barrikada vetes me frikëra të panevojshme. Bota është shumë më bukur e parë nga lart."

Aman, sa e vështirë është të bësh balancimin e dy botëve: asaj që sheh nga lart dhe asaj që ndodhet poshtë? "Mendoj se çdo gjë ka kohën dhe hapësirën e vetë, si karriera edhe familja apo shoqëria. Mjafton pak mirëmenaxhim i ditës apo javëve në rastin tim (pasi disa javë isha në Rome dhe disa në Tiranë) dhe nuk ka arsye për të lënë pas dore asgjë që është e rëndësishme në jetën time. Përveç kësaj unë edhe udhëtoj shumë për kënaqësi, jo për punë dhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e imja. Prioritet duhet të mbetet gjithnjë shëndeti fizik dhe ai mendor, prandaj mendoj se nuk duhet abuzuar me to kur i kemi në gjendje të mirë duke e çuar veten dhe lodhjen në limite."

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Nabjana Shabanaj (@nabjanas)

Duke na treguar për paragjykimet, ajo thotë se në Shqipëri vihet ende në dyshim nëse një femër mund të arrijë diçka si pilotimi apo lundrimi. "Ndërkohë që në botë po bëhet normë dhe po shtohet me shpejtësi të madhe numri i piloteve femra dhe së fundmi kam patur fatin të shoh akoma më shumë kapitene anijesh femra. Shpresoj shumë që NASA të rekrutojë femra astronaute shqiptare që më në fund njerëzit ta kuptojnë që vajzat shqiptare mund të bëjnë çdo gjë që ia vendosin synim vetes."

Gjithsesi, Nabjana na rrëfen se nga pilotimi nuk ka pritshmëri të mëdha "pasi në Shqipëri nuk është as mundësia për të mbajtur një avion të vogël. Më shumë e shoh si një hobi dhe argëtim të cilin mund ta shfrytëzoj për kënaqësinë time e të të afërmve të mi. Por ku i dihet, jeta është plot të papritura të bukura…"