Çdo njeri frymëzon në këtë jetë në mënyrën e tij, në një mënyrë unike!
Midis personazheve të njohur, ne kemi përzgjedhur për kategorinë 'Frymëzimi i Vitit' vetëm pak prej tyre, referuar impaktit dhe vibrimit të tyre që na ka shoqëruar përgjatë vitit 2023. Secili ka një histori/ngjarje frymëzuese, që simbolizon dhe shumë të tjera!
Timo Flloko
Timo Flloko, një ikonë e artit shqiptar, nuk njihet vetëm si një aktor i shkëlqyer, por edhe si një shkrimtar me talent që ka shënuar disa perla në fushën e poezisë. Poezitë e tij për jetën dhe dashurinë kumbuan më 8 korrik në amfiteatrin e lashtë të Butrintit, në një atmosferë ku këngët dhe mesazhet e dashurisë u prekën prej magjisë së zërit të Saimir Pirgut dhe sopranos së famshme, Nino Machaidze.
Mira Kazhani
Zë me Mirën, është një nga arsyet kryesore pse Mira na frymëzon vazhdimisht. Nëpërmjet këtij podkasti dhe me profesionalitetin e saj, na ka afruar përgjatë vitit me shumë personazhe me vlerë.
Nensi Dojaka
Nensi Dojaka është shqiptarja e parë që ka fituar çmimin LVMH për stilistët e rinj të talentuar të dhënë nga Louis Vuitton. Ajo krijon veshje dhe të brendshme për gratë, por ka një stil dhe pikëpamje krejt unike. Ky ka qenë viti ku Nensi ka prezantuar shumë koleksione të suksesshme.
Kristiana Çela
Revista prestigjoze amerikane “Forbes” ka publikuar listën e 30 sipërmarrësve më të suksesshëm nën moshën 30 vjeç për Europën dhe në sy bie edhe emri i një shqiptareje. Kristiana Çela, e njohur në platformat sociale si Krissy Çela, renditet mes të rinjve me potencial për të transformuar biznesin dhe shoqërinë.
Ajo ka shkuar në Britani bashkë me familjen e saj me kamion dhe sot ka bërë një histori tën sajën. Pasioni për palestrën e ka kthyer atë në një ndër vajzat e reja që influencojnë miliona femra në botë për të ndryshuar jetën e tyre dhe mënyrën e jetesës.
Jasir Asani
'Heroi' Kuq e Zi për vitin 2023!
Gersi Troka
Gersi, përveçse fal emocione të pastra dhe shumë dashuri, është një atlet me sindromën down i Special Olympics Albania. Personazh i vitit për medaljen e arit në not në garën 200 metra stil i lirë në lojërat olimpike speciale botërore që u zhvilluan në Qershor 2023 në Berlin.
Rudina Xhunga
Kaq afër me historitë dhe realitet e shoqërisë shqiptare, Rudina Xhunga me punën e saj krijon një panoramë të pastër për tema të ndryshme cilësore. Një frymëzim për gazetarinë në vend!