Fotografia është një medium që shpreh shumë më tepër sesa fjalët mund të përshkruajnë, dhe për fotografe si Jorida Hoxha, ky medium ka qenë një mjet i fuqishëm për të kapur dhe përjetësuar momente magjike. Në këtë intervistë të veçantë, kemi mundësinë të hyjmë në botën e një artisteje të talentuar shqiptare, e cila ka gjetur inspirim dhe sukses në qytetin e përjetshëm, Romë. Ajo na tregon për rrugëtimin e saj nga fëmijëria në Shqipëri, ku teknologjia ende nuk kishte marrë hov, deri tek formimi i saj artistik në Romë, një qytet që e ka ndihmuar të kultivojë dhe zhvillojë pasionin e saj për fotografinë.

Përmes fotografive të saj, ajo sjell një përzierje të bukur të mitologjisë dhe përrallave, duke krijuar një stil romantik dhe magjik që emocionon dhe frymëzon. Lexoni intervistën e plotë për të zbuluar historinë, pasionet dhe frymëzimet, si dhe mendimet e saj për të ardhmen e fotografisë në një botë gjithnjë e më të zhvilluar nga ana teknologjike.

Mund të më tregosh se si rritja në Shqipëri ndikoi në vizionin tënd si fotografe?

Unë jam rritur në një kohë ku në Shqiperi teknologjia nuk kishte zhvillimin që ka sot dhe natyrisht që fëmijë zhvillova anën kreative dhe artistike në çdo gjë.

Çfarë ka ndikuar në atë që ju përfaqësoni si artiste dhe mënyrën si e shihni botën?

Rritja dhe studimet në qytetin e Romës kanë ndikuar pozitivisht për Artin dhe Fotografinë. Më ka ndimuar shumë - botën e shoh pak me syrin e një femije që emocionohet para gjërave dhe detajeve më të vogla.

Për momentin jeni në Romë, ku jetoni. Pse zgjodhët kryeqytetin italian? Çfarë ka Roma që s’e gjen askund tjetër?

Unë jetoj në Romë që adoleshente pasi prindërit e mi u trasferuan në Romë për punë dhe kjo gjë për mua ka qenë një fat shumë i madh. Më ka ndikuar e ndihmuar shumë në artin për fotografi - si artiste nuk mund të dëshiroja apo ëndërroja një vend tjetër ndryshe nga Roma - të jetoja e punoja në një nga 7 mrekullitë e botës që është Colosseo - qyteti i përjetshëm konsiderohet muse me qiell të hapur, diçka që nuk e gjen në vende të tjera.

Çfarë roli ka luajtur fotografia në jetën tuaj?

Fotografia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Është puna dhe ëndrra ime që femijë që vazhdohet e realizohet cdo ditë e më shumë.

Cili është qëllim që ju shtyn përpara?

Dëshira dhe ëndrra ime për të bërë çdo ditë e më mirë punën time - personat që më zgjedhin, që vijnë nga e gjithë bota në Romë e më besojnë kujtimet e tyre.

Mund të më tregosh për përvojat e para me fotografinë?

Kam filluar si fotografe në prapaskenat e eventeve të ndryshme në qytet ku shpesh merrnin pjesë personazhe të botës së spektaklit. Pasi realizova një set në Dubai u dashurova me setet me fustane fluturues dhe vendosa t’i bëja këto sete në Romë - dhe kam qenë ndër të parat që bëja Flyingdress në Romë.

Çfarë ju frymëzon më shumë?

Frymëzimin e marrë kryesisht nga Mitologjia dhe Përrallat - stili im fotografik i preferuar është Romantik-Përrallor. Edhe pse të rritur, mendoj që secili nga ne ka një përrallë brenda vetes e dua që personat që fotografoj të jetojnë përallën e tyre.

Cili ka qenë momenti më i rëndësishëm në karrierën tuaj deri tani?

Unë kam punuar e fotografuar shumë Miss-e të njohura, fashion blogger e modele, si “Miss Arabia 2021”, “Miss Tunisia”, “Miss Australia”, gra nga bota e spektaklit etj.

Kam fotografuar gruan e një sheiku arab që edhe pse mbuluar me vello rrezatonte nga sytë bukuria e saj magjepëse. Shpesh fotografitë e mia kanë përfunduar në disa revista si brenda dhe jashtë Italisë - fotografitë e mia dhe reels janë shfaqur e publikuar në faqet më në zë të Instagramit mbi Romën dhe Italinë si ‘City of Rome’ etj.

Cilat janë karakteristikat thelbësore të një fotografi/eje të suksesshëm?

Fotografia është harmonia perfekte mes syrit-mendjes-zemrës. Një fotograf i suksesshëm di t’i vendosë në funksion këto tri elemente. Po ashtu, edhe teknika ka një rol shumë të rëndësishëm. Një fotograf/e duhet të falë emocion, është si nje poezi e bukur - kur fotografia nuk emocionon nuk ka arritur atje ku duhet.

Si e shihni të ardhmen e fotografisë, veçanërisht me përparimet në teknologji dhe ndryshimin e tendencave shoqërore?

Shikoj të ardhmen e fotografisë nga ana e kualitetit me ndryshime të mëdha që të jep Inteligjenca Artificiale. Shumë mendojnë se do vdesë nga zhvillimi i Inteligjences Artificiale. Por, a mund të vdesin emocionet? Në fotograf/e që shkrep aparatin në ambiente të mrekullueshme dhe reale është diçka e pazëvendësueshme nga Inteligjenca Artificiale.