Njoftimi erdhi në një konferencë shtypi të premten: duke filluar nga nëntori 2028, Barcelona do të ndalojë qiratë afatshkurtra në qytet.
“Parlamenti katalanas na ka autorizuar që të mos rinovojmë licencat për apartamentet turistike, gjë që do të na lejojë të kthejmë 10 mijë shtëpi në tregun e qirave apo shitjeve”, deklaroi kryebashkiaku socialist Jaume Collboni. Në fakt janë 10.101 licenca që qyteti ka dhënë për përdorim turistik deri më tani dhe të cilat nuk do të rinovohen kur të mbarojnë, duke filluar nga fundi i vitit 2028.
Masa, ndër më vendimtaret e ndërmarra nga një qytet i madh deri më tani, synon të kundërshtojë rritjen e çmimeve të banesave dhe zbrazjen e qendrës, duke përdorur një dekret të miratuar vitin e kaluar nga parlamenti rajonal i Katalonjës, i cili rregullon numrin e pronave me licencat e përdorimit turistik në qytetet ku presioni mbi pasuritë e paluajtshme është më i madh.
Në dhjetë vitet e fundit, në Barcelonë, qiratë janë rritur me gati 70% dhe kostoja e pronave për shitje me gati 40%. Nuk është vetëm një problem në Barcelonë, por në shumë qytete dhe kryeqytete për shkak të turizmit: vitin e kaluar Nju Jorku kufizoi qiratë afatshkurtra, duke lejuar qiratë afatshkurtra vetëm për ata që strehojnë jo më shumë se dy persona në të njëjtën kohë dhe “në të njëjtën njësi apo banesë”.
“Duke filluar nga viti 2029, në Barcelonë nuk do të ketë apartamente turistike siç i njohim ne sot”, tha kryebashkiaku Collboni. Menjëherë pas konferencës për shpalljen e vendimit, si pjesë e opozitës, ashtu edhe disa shoqata për mbrojtjen e të drejtës për strehim dhe sipërmarrësit e sektorit u shprehën menjëherë kundër tij. “Situata nuk do të ndryshojë brenda natës, këto probleme kërkojnë kohë. Por me këtë dispozitë shënojmë një pikë kthese. Kështu 10 mijë shtëpi do të dalin sërish në treg në vetëm 5 vjet”, përfundoi kryebashkiaku.