Një burim i afërt me Liam Payne dhe familjen e tij ka hedhur dyshime mbi rrethanat e vdekjes së këngëtarit në Buenos Aires më 16 tetor, pasi ra nga ballkoni i dhomës së tij të hotelit. Sipas "Mail on Sunday", burimi tha: "Liam nuk kishte qëllim të vriste veten. Kishte shumë plane për të ardhmen. Donte të jetonte". Një tjetër shqetësim i shprehur ishte se nëse do të ishte thirrur ambulanca menjëherë pasi ai u rrëzua në hollin e hotelit, ai mund të ishte shpëtuar. Ambulanca u thirr më vonë, kur Payne u kthye në dhomën e tij në katin e tretë.
"Vdekja e Liam-it nuk duhej të kishte ndodhur," tha burimi. "Ai kishte premtuar se nuk do të bënte vetëvrasje. Nëse dikush do të kishte thirrur ambulancën kur ai u rrëzua, në vend që ta rikthenin në dhomë dhe ta linin vetëm, në një gjendje psikozë, ai do të ishte ende me ne".
Disa detaje të tjera tregojnë se Liam Payne nuk po mendonte për vdekjen. Ai po përpunonte këngën e tij të preferuar të One Direction, "Fireproof", në kompjuterin e tij disa orë para vdekjes. Ishte në Argjentinë për të ndjekur një koncert të Niall Horan dhe kishte kaluar teste mjekësore dhe psikologjike që vërtetonin se ishte në gjendje të mirë. Ai ishte me humor të mirë dhe kishte plane të kthehej në Miami te e dashura e tij, Kate Cassidy.
Policia gjeti drogë në dhomën e tij, përfshirë një hallucinogjen të fuqishëm, "cristal". Burimi tha se Liam nuk kishte para dhe pyeti se si mund të kishte siguruar ato substanca. Disa burime të policisë kanë sugjeruar se dikush nga hoteli mund t’i ketë furnizuar me drogëra. Ndërkohë, ka lajme të pakonfirmuara se hoteli ka nisur një hetim të brendshëm dhe ka pushuar nga puna të paktën një punonjës.
Një mik i familjes e vizitoi Payne atë mëngjes dhe ai dukej i lumtur, duke dëgjuar "Fireproof" dhe duke bërë plane për të ardhmen. Por më vonë, Payne porositi whisky dhe shampanjë, dhe sipas policisë, ai u vizitua nga dy prostituta, me të cilat pati një konflikt pasi nuk mund t’i paguante. Rreth orës 15:00, hoteli kontaktoi një mik të tij, Roger Nores, për të raportuar shqetësimet e Payne. Ai e shoqëroi atë në dhomë, por Payne më vonë u rrëzua sërish në hollin e hotelit.
Burimi ngre pyetjen: "Pse nuk u thirr menjëherë ambulanca kur ai kishte konvulsione? Nëse ishte në një gjendje kaq të rëndë, pse e lanë vetëm në dhomë, me derën hapur nga ballkoni? A u trajtua ndryshe sepse ishte i famshëm?"
Babai i Liam-it, Geoff, mbërriti në Buenos Aires të premten për të identifikuar trupin e të birit, i shoqëruar nga truproja i One Direction, Paul Higgins. Trupi pritet të transportohet në Mbretërinë e Bashkuar për ceremoninë e varrimit, ndërsa fansat në të gjithë botën po mbajnë zi për të nderuar kujtimin e tij.