Gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, mbajtur në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” u përfshi në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO. Ky zhvillim historik shënon një sukses të madh për kulturën shqiptare, duke e prezantuar “K’cimin e Tropojës” si një element unik në skenën ndërkombëtare.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

I njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, ky vallëzim festiv përfaqëson një traditë shekullore që ka ruajtur vitalitetin dhe autenticitetin e tij. “K’cimi i Tropojës” është një kombinim i artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Ai interpretohet në ceremoni të ndryshme si dasma, fejesa dhe festa lokale, duke përcjellë energji dhe gëzim. Lëvizjet e tij ritmike shoqërohen me tingujt karakteristikë të tupanit, çiftelisë dhe fyellit.

Elementët autentike të vallëzimit përfshijnë veshjet tradicionale dhe shamite e kuqe ose të verdha, duke simbolizuar harmoni dhe vitalitet. Ky vallëzim mbetet një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, si dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Një nga aspektet më të rëndësishme të “K’cimit të Tropojës” është përkushtimi për ruajtjen e tij. Tradita ka kaluar nga brezi në brez, si në kontekste spontane ashtu edhe përmes përfshirjes në kurrikulat arsimore lokale. Ky transmetim siguron vazhdimësinë e elementit dhe e konsolidon si pjesë të identitetit kombëtar shqiptar.

Për të arritur përfshirjen në listën prestigjioze të UNESCO-s, një rol të veçantë luajtën Shoqata “Kërcimi i Tropojës”, Bashkia Tropojë dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Puna për përgatitjen e dosjes së kandidimit përshinte hulumtime të gjera në terren, mbledhjen e materialeve arkivore dhe dokumentimin e traditës nga komuniteti lokal. Pjesëmarrja e ekspertëve dhe komunitetit ka qenë kyçe për njohjen e plotë të vlerave universale të këtij elementi.