Papa Françesku ndërroi jetë muajin e kaluar, duke shkaktuar një valë homazhesh nga e gjithë bota. Si Papa i parë latino-amerikan, ai la pas një trashëgimi të rëndësishme, të dalluar për idealet e tij progresive dhe angazhimin për çështjet mjedisore. Me ndarjen nga jeta të Papës, Kisha Katolike po hyn tani në një nga ritualet më enigmatike të saj: konklavën.

Ja pesë fakte interesante për këtë rit historik:

1. Pse gjithë kjo fshehtësi?
Konklava është një rit që daton prej qindra vitesh. Fillimisht, nuk ka qenë kaq e fshehtë, por ishte Papa Gregori X, kreu i Kishës në vitin 1274 (jo 1792 siç pretendohet gabimisht ndonjëherë), që vendosi rregullin që të gjithë kardinalët votues të mbylleshin në një dhomë – cum clave (latinisht: “me çelës”) – derisa të zgjidhnin Papën e ri.

Edhe pse rregullat janë ndryshuar me kalimin e kohës, konklava vazhdon të mbetet një proces sekret, me ndikime të mëdha politike.


2. Konklavat më të shkurtra dhe më të gjata në histori
Konklavat kanë ndryshuar shumë në kohëzgjatje. Më e gjata ndodhi në shekullin XIII dhe zgjati plot 1,006 ditë, ndërsa kardinalët nuk arrinin të binin dakord për pasardhësin e Papa Klementit IV. Ky ngërç pasqyronte ndasitë e mëdha politike të kohës, midis përkrahësve të papatit dhe atyre të Perandorisë së Shenjtë Romake.


3. “Një vakt në ditë”
Për të shmangur zvarritjen e konklavave, Papa Gregori X vendosi një rregull të rreptë: kardinalët votues do të lejoheshin të hanin vetëm një vakt në ditë. Dhe nëse procesi zgjaste më shumë se 8 ditë, ata do të mbijetonin vetëm me “bukë, ujë dhe verë”.

Ky rregull është hequr më vonë, por mbetet një tregues i përkushtimit që kërkohej në këtë proces.


4. Konklava nuk është mbajtur gjithmonë në Kapelën Sistine
Sot, konklava zhvillohet gjithmonë në Kapelën Sistine, por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në të kaluarën, ajo është mbajtur në kisha dhe bazilika të ndryshme në Romë, madje edhe jashtë saj, në vende si Venecia (Itali), Lioni (Francë) dhe të tjera.

Vetëm në vitin 1878 u vendos zyrtarisht që Kapela Sistine do të jetë vendi i përhershëm i zhvillimit të konklavave.


5. Antipapat – kur kishte më shumë se një Papë
Në shekujt XI, XII dhe XIII, Kisha Katolike u përball me ndarje të mëdha që çuan në krijimin e antipapëve – burra që pretendonin të ishin Papë në kundërshtim me atë që ishte zgjedhur zyrtarisht.

Këto ndarje u nxitën nga përplasjet mes papatit dhe perandorëve të Perandorisë së Shenjtë Romake, me secilën palë që mbështeste kandidatin e vet. Disa nga antipapët më të njohur janë Klementi VII, Benedikti XIII dhe Gjoni XXIII (i cili nuk duhet ngatërruar me papën e mëvonshëm me të njëjtin emër që ishte i ligjshëm).


Konklava e re pritet të nisë më 7 maj, dhe me të, historia e Kishës Katolike do të hapë një tjetër kapitull – i fshehtë, por vendimtar për miliarda besimtarë në mbarë botën.