Shkenca në trojet shqiptare ka shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e saj, falë punës dhe përkushtimit të Kujtim Thaçit.

Doktori nga Kosova ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u bërë shqiptari i parë që publikon një punim shkencor në Universitetin e Harvardit, një nga institucionet më prestigjioze në botë.

Ky studim novator është publikuar në revistën shkencore “Glycoscience & Therapy”, botim i Chinese Academy of Sciences, dhe hedh dritë mbi një temë delikate e shumë aktuale në mjekësinë moderne:
“Roli i glikozilimit të immunoglobulinës IgG në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të Hemokromatozës neonatale.”

Për herë të parë, kjo qasje trajtohet në mënyrë kaq të detajuar dhe shkencërisht të thellë, duke hapur horizonte të reja për zhvillimin e metodave më efikase për diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje të rrallë, por me pasoja serioze për shëndetin e të sapolindurve. Studimi përfaqëson një hap domethënës për menaxhimin prenatal dhe postnatal të Hemokromatozës neonatale.

“Ky është rezultati i një pune të gjatë kërkimore, i një angazhimi të pandalshëm dhe pasioni për shkencën. Jam thellësisht i nderuar që kontributi im është njohur dhe vlerësuar nga institucione të tilla si Harvard dhe Chinese Academy of Sciences”, është shprehur Dr. Thaçi me krenari dhe përulësi.

Ai nxit profesionistët e shëndetësisë – sidomos imunologët, pediatrit dhe reumatologët – që ta lexojnë dhe studiojnë këtë punim, për shkak të ndikimit të tij potencial në praktikën klinike.