Vetëm pak ditë pasi këngët e tyre u zhdukën nga të gjitha platformat digjitale, përfshirë edhe Spotify, ku qëndroi më gjatë, Fifi dhe Egli janë rikthyer në mënyrë po aq të papritur. Projektet muzikore që u fshinë pa paralajmërim, janë tashmë sërish të disponueshme për dëgjuesit, por ky kthim ka ngritur shumë pikëpyetje.

Fillimisht, lajmi për zhdukjen e projekteve muzikore të dyshes erdhi i shoqëruar me thashetheme për një konflikt të brendshëm. Burime pranë artisteve zbuluan për emisionin “Prive” se prapaskena kishte të bënte me mospajtime serioze për çështje menaxhimi dhe ndarje të fitimeve, një tension që çoi në një krisje mes dy këngëtareve dhe fshirjen totale të bashkëpunimeve të tyre nga platformat.

Por më shumë se rikthimi i këngëve, ishte mënyra dhe koha që ndezi rrjetin. Komentet e ndjekësve janë të shumta: A ishte gjithë kjo një lëvizje e mirëkalkuluar për të tërhequr vëmendje dhe për të prodhuar zhurmë mediatike?

Shumë fansa e lexojnë situatën si një “dramë” të ndërtuar me mjeshtëri, në funksion të klikimeve dhe rritjes së kuriozitetit publik. Duke qenë se tregu muzikor shqiptar është i ngarkuar dhe shpesh herë i paparashikueshëm, strategjitë e vetëpromovimit jo rrallë bëhen pjesë e lojës për të qëndruar në qendër të vëmendjes.

Për më tepër, kthesa e menjëhershme, rikthimi pa sqarim publik, dhe heshtja që vijon edhe pas rikthimit në platformat muzikore, i kanë shtuar dyshimet se gjithçka mund të ketë qenë një mënyrë për të ndezur diskutimin dhe për të garantuar konsum më të madh të projekteve.

Nëse kjo ishte një krizë e vërtetë apo një manovër e zgjuar për “buzz”, mbetet për t’u parë.