Një studim madhor mbi rreth 93 mijë të rritur amerikanë, i prezantuar në kongresin “Nutrition 2025”, konfirmon se ndjekja e dietës MIND, një kombinim i dietës mesdhetare dhe asaj DASH, ul ndjeshëm rrezikun për të zhvilluar Alzheimer apo forma të tjera të dementias, nga 9% deri në 25%, sipas mënyrës dhe kohës së zbatimit.

Ky efekt pozitiv është më i theksuar te afro-amerikanët, latinët dhe të bardhët, ndërsa më pak i dukshëm te amerikanët me origjinë aziatike apo nga Hawaii. Megjithatë, ekspertët theksojnë se “nuk është kurrë vonë për të ndryshuar stilin ushqimor”, dhe rekomandojnë qasje të personalizuara sipas grupit etnik dhe zakoneve lokale.

Çfarë është dieta MIND?
MIND – Mediterranean-DASH Intervention for Neurodegenerative Delay – është një regjim që bashkon më të mirën e dy botëve: ushqimin mesdhetar dhe dietën DASH për uljen e presionit të gjakut.

Thekson:

Perime me gjethe jeshile
Fruta të pyllit (si boronicat)
Fruta të thata
Drithëra integrale
Legume (fasule, qiqra)
Peshk dhe mish pule (jo të fërguar)
Vaj ulliri


Ndërsa kufizon:

Mishin e kuq
Gjalpin dhe djathrat e stazhionuar
Ushqimet e fërguara
Ëmbëlsirat



Çfarë tregoi studimi?
Studimi, i kryer nga Universiteti i Hawait dhe Universiteti i Kalifornisë Jugore, analizoi të dhënat e një grupi të madh multietnik nga viti 1990 me ndjekje 30-vjeçare. Deri më sot, 21 mijë pjesëmarrës kanë marrë diagnozë të Alzheimerit apo formave të tjera të dementias.

Ata që e ndiqnin rreptësisht dietën MIND, kishin një reduktim prej 9% në rrezik.
Efekti ishte edhe më i fortë për grupet afro-amerikane, latine dhe të bardha: –13%.
Më të fituarit ishin ata që përmirësuan ndjeshëm stilin ushqimor me kalimin e kohës: –25% rrezik krahasuar me ata që u ushqyen gjithnjë më keq.
Efektet pozitive ishin të ngjashme si tek të rriturit në moshë të mesme, ashtu edhe te të moshuarit, pra, nuk është vonë për të filluar.

Përse ndikimi ndryshon nga një grup etnik në tjetrin?
Sipas studiuesve, zakonet tradicionale të disa komuniteteve aziatike, që tashmë ushqehen shëndetshëm, mund të bëjnë që efekti i dietës MIND të jetë më i vështirë për t'u vërejtur. Një arsye tjetër mund të jetë shkalla më e ulët e diagnostikimit të dementias në këto grupe, që e “maskon” përfitimin.

Sa i rëndë është Alzheimeri sot?
Në SHBA: Mbi 7.2 milionë njerëz jetojnë me Alzheimer. Pa ndërhyrje të fuqishme, ky numër do të dyfishohet deri në vitin 2050.
Në Itali: Rreth 1.48 milionë persona vuajnë nga demenca – prej të cilëve mbi 600 mijë me Alzheimer.
Parashikimet për 2050 flasin për 2.3 milionë raste në Itali.
Kostoja është e frikshme: mbi 72 mijë euro në vit për çdo pacient, 75% e të cilës paguhet nga familja.
Një në pesë familjarë që kujdesen për një të sëmurë nuk kanë asnjë ndihmë.