Mendonim se kishim lënë pas kohët kur lyheshim me vaj apo birrë për një nxirje të shpejtë. Por në rrjetet sociale nxirja, fatkeqësisht, është sërish në modë dhe për ta arritur atë, Gen Z është gati të bëjë gjithçka.
Nga qëndrimi nën diell pa krem mbrojtës, deri te një spreji përshpejtues të nxirjes me bazë Melanotan 2, i njohur në internet si “Barbie Drug”. Kjo substancë ka efekte serioze në sistemin hormonal dhe rrezik për kancer. Sipas The Guardian, spreji aplikohet direkt në hundë, ku lëshon Melanotan 2 në trup. Në treg qarkullon si produkt kozmetik për të stimuluar prodhimin e melaninës, pigment që errëson lëkurën, dhe teorikisht vepron edhe pa rreze UV. Por problemi qëndron te fakti se influencerët e promovojnë si edhe më efikas kur kombinohet me ekspozimin ndaj diellit apo në solarë. Autoritetet britanike kanë ngritur shqetësime edhe për versionet aromatike të këtyre sprejve, që mund t’i bëjnë edhe më tërheqës për të rinjtë.
Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin që në rrjetet sociale nën hashtagun #uvindex qarkullojnë video me mijëra shikime që nxisin ekspozimin në diell në orare që dermatologët i ndalojnë, si dhe një mosbesim gjithnjë e më i madh ndaj kremrave mbrojtës për shkak të fushatave dezinformuese, kuptojmë se kemi të bëjmë me një lëvizje të vërtetë anti-krem mbrojtës dhe pro-nxirjes.
Kjo qasje mosbesuese ndaj kremrave mbrojtës ushqehet edhe nga marka që bëjnë guerrilla marketing. Si për shembull Primally Pure, që në Chicago dhe Los Angeles promovoi një krem të ri mbrojtës me sloganin: “SPF jonë nuk është toksik. Dielli nuk është toksik, kremi yt mbrojtës është.” Një fushatë që hedh baltë mbi konkurentët, praktikë joetike dhe e ndaluar. Megjithatë, në SHBA, ku sipas FDA-së kremrat mbrojtës klasifikohen si produkte mjekësore dhe jo kozmetike, nuk ka prova që filtrat kimikë të jenë të dëmshëm për shëndetin.
Rezultati? Mes të rinjve po përhapet një qëndrim që e bën opsional përdorimin e SPF-së, sepse ajo që ka rëndësi është bukuria e nxirjes, shëndetin do ta mendojnë më vonë.
Trendi më i rrezikshëm i radhës në TikTok: uji i kripur për nxirje më të shpejtë
Përdorimi i ujit të kripur për të arritur një nxirje më intensive është truku i fundit që po qarkullon në rrjetet sociale. Ekspertët e kujdesit për lëkurën të SpaSeekers.com, një kompani britanike e specializuar në eksperienca wellness dhe spa, paralajmërojnë se kjo metodë mund të shkaktojë djegie dhe irritime serioze.
Ky trend është përhapur mes atyre që duan të maksimizojnë efektin e verës dhe kërkojnë truke për të marrë atë nxirje perfekte. TikTok është kthyer në konsulentin më të keq (ose më të mirë, sipas këndvështrimit) për të ndarë këto këshilla. Një nga metodat më alarmante është përzierja e ujit të detit me kripë në shishe spreji që spërkaten në trup përpara se të rrihet në diell. Disa pretendojnë se kjo e përshpejton nxirjen duke imituar efektin e një dite në plazh. Por ekspertët paralajmërojnë se uji i kripur mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë.
Maddie Cridge, terapeute në SpaSeekers.com, shpjegon: “Ka një keqkuptim të përhapur që uji i kripur ndihmon në nxirje më të fortë, sepse shpesh nxirja pas pushimeve në det lidhet me praninë e kripës. Në të vërtetë, kripa e than lëkurën dhe i heq vajrat natyralë që e mbrojnë nga rrezet UV. Duke spërkatur kripë mbi lëkurë para ekspozimit në diell, shtohet ndjeshmëria ndaj djegieve, irritimeve, madje në raste ekstreme edhe ndaj flluskave apo skuqjeve. Kristalet e kripës mund të funksionojnë si lente zmadhimi dhe të përforcojnë rrezatimin UV në mënyrë të lokalizuar, duke rritur rrezikun e dëmtimeve afatgjata. Edhe pse mund të duket si një metodë “natyrale”, nuk do të thotë se është e sigurt.”
Edhe gjenerata Alpha po neglizhon mbrojtjen nga dielli
Një studim i fundit i Universitetit Northwestern Medicine, botuar në revistën Pediatric Journal, konfirmon se kjo tendencë prek edhe gjeneratën Alpha. Vajzat adoleshente që shfaqin në video arsenalin e tyre të produkteve të kujdesit për lëkurën, rrallëherë përfshijnë krem mbrojtës. Ku ka mbetur logjika e shëndoshë? Dhe gjithçka që kemi mësuar mbi rrezikun e diellit si shkaktari kryesor i kancerit të lëkurës? Kremi mbrojtës duhet përdorur dhe nuk është e vërtetë që pengon nxirjen apo prodhimin e vitaminës D. Mbrojtja e kujdesshme sot është investimi më i mirë për shëndetin dhe bukurinë e nesërme.
Pse fenomeni i “nxirjes ” është alarmues?
Le të nisemi nga faktet: studime shumëvjeçare tregojnë se rreziku për t’u prekur nga melanoma rritet ndjeshëm nëse digjesh para moshës 18 vjeç. Të gjithë filtrat mbrojtës të tregut janë të testuar dhe të padëmshëm për shëndetin, sidomos në SHBA. Disa përbërës si oxybenzone dhe octinoxate janë ndaluar me ligjin “Hawaii Reef Bill” që nga 2021 për shkak të ndikimit të tyre në zbehjen e koraleve. Që nga ajo kohë, po studiohen edhe për mundësinë e ndikimit në sistemin endokrin.
Por, nëse shmangim produktet që përmbajnë këto substanca, përdorimi i kremit mbrojtës është thelbësor, sepse mbron nga pasojat e ekspozimit të pakujdesshëm në diell. Dielli është ende shkaktari numër një i kancerit të lëkurës. Më mirë të mos dëgjojmë influencerë pa dije shkencore, sepse mbrojtja sot do të thotë mos-pendim nesër.
Praktika e duhur për mbrojtjen nga dielli
Në vend që të ndiqni trende të rrezikshme, bëni mirë të përdorni një krem mbrojtës me spektër të gjerë, me të paktën SPF 30, ose edhe SPF 50, duke e aplikuar 15-20 minuta para ekspozimit në diell. Mund të shoqërohet edhe me përdorimin e suplementeve për lëkurën të paktën një muaj para pushimeve.
Nëse përdorni krem, duhet një vijë sa gishti i mesëm deri në kyç për çdo zonë të trupit. Nëse përdorni sprej, duhen të paktën 15 spërkatje për zonë për një mbulim efektiv. Nëse dëshironi një ngjyrë të artë pas plazhit, mund të përdorni një krem mbrojtës me efekt nxirës ose një lozion gradual me DHA (dihidroksiacetone), dy alternativa të sigurta që nuk dëmtojnë lëkurën.