Shprehja “Ne jemi çfarë hamë” është e vjetër sa vetë koha, ndoshta që nga Greqia e Lashtë. Sepse çfarë fusim në trupin tonë ndikon drejtpërdrejt në shëndetin, humorin dhe mirëqenien tonë.

Manifestimi më i fundit i kësaj thënieje të vjetër? Një sallatë me karrota që po bën xhiron e rrjeteve sociale. Me shirita të hollë dhe të gjera karrotash të freskëta, të marinuara me qepë të njoma, hudhër, salcë soje, uthull orizi, vaj susami dhe spec djegës, kjo sallatë është vlerësuar si recetë kundër plakjes prej disa verash tashmë.

Receta u bë virale fillimisht në TikTok nga Cassie Yeung dhe përfshihet edhe në librin e saj të gatimit Bad Btch in the Kitch*—edhe pse sallatat me karrota janë të njohura prej kohësh nga Koreja në Marok e deri në Francë.

Përzierja e përbërësve në recetën e Yeung ka bërë ndjekësit të çmenden. Kjo pjatë e freskët dhe sezonale thuhet se rrit nivelin e vitaminës A në trup dhe stimulon prodhimin e melanociteve dhe retinolit. E quajnë “sallata e kujdesit për lëkurën” dhe thonë se ndihmon kundër rrudhave dhe i jep shkëlqim fytyrës.

Nuk është çudi që ka tërhequr kaq shumë vëmendje. Karrotat jo vetëm që janë të shijshme, por kanë edhe përfitime të mëdha për trupin. Por, a qëndron e gjitha kjo teori mbi efektet “anti-rrudhë”? Ja çfarë duhet të dini.

Miti i “kujdesit për lëkurën që hahet”
Është e vërtetë që ushqimi ndikon në shëndet. Një dietë e mirë mbron nga sëmundjet kardiovaskulare, stabilizon kolesterolin dhe promovon jetëgjatësinë.

Por ideja që mund ta trajtosh lëkurën vetëm përmes ushqimit është pak e ekzagjeruar. Në rrjete sociale ka pafund receta që premtojnë lëkurë më të mirë, zhdukje aknesh apo shërim të zorrëve dhe janë shumë tërheqëse. Ky trend është ndikuar nga industria kozmetike që shpesh promovon produkte që “mbulojnë” ose “zhdukin” defektet. Tani, konsumatorët kërkojnë një qasje më të personalizuar dhe holistike për mirëqenien.

Në të vërtetë, një qasje gjithëpërfshirëse ndaj bukurisë është e vlefshme. Ushqimi i shëndetshëm ndihmon lëkurën si për shembull, reduktimi i sheqerit ndihmon në parandalimin e glikacionit, një proces që dëmton kolagjenin dhe shkakton rrudha.

Por rezultatet nuk janë të menjëhershme. Sekreti qëndron në qëndrueshmëri: një stil jetese i shëndetshëm, dietë e balancuar me vitamina, minerale, yndyra të mira dhe antioksidantë. Duhet gjithashtu hidratim, gjumë i mirë, menaxhim i stresit dhe dashuri në jetë.

Pra, a mjafton një sallatë me karrota në ditë për lëkurën e ëndrrave? Me një fjalë: Jo.

Karrotat si retinol?
Karrotat përmbajnë beta-karoten, një formë e vitaminës A që trupi mund ta shndërrojë në retinol kur është e nevojshme. Por që ky proces të ndodhë, kërkohen disa kushte: duhet të konsumohet me yndyrë dhe karrota të jenë të gatuara. Gjithashtu, funksionimi i tiroides, stomakut dhe trupit në përgjithësi është kyç dhe kjo ndryshon nga individi në individ.

Pra, një sallatë me karrota nuk do të thotë rritje e menjëhershme e retinolit në gjak, por siguron karotenoide, që janë pararendëse të vitaminës A dhe të dobishme për rigjenerimin e indeve dhe balancimin hormonal.

Burime bimore të vitaminës A:
Karrota
Patatet e ëmbla
Kungulli
Spinaqi
Perimet me gjethe të errëta (si kale)
Specat e kuq
Kajsitë
Mango
Pjepri

Por për të konsumuar direkt retinol të formuar, duhet të hani ushqime që e përmbajnë të gatshëm, pa pasur nevojë për përpunim nga trupi.

Ushqime të pasura me retinol të formuar:
Mëlçia (veçanërisht viçi apo pula)
Vaji i mëlçisë së peshkut
E verdha e vezës
Qumështi i plotë, gjalpi, djathrat me yndyrë të plotë

Vitamina A për lëkurën
Sipas Dr. Joshua Zeichner, profesor dhe drejtor kërkimi në dermatologji në Mount Sinai Hospital në New York, ekziston një lidhje e qartë mes ushqimit dhe shëndetit të lëkurës. Dieta më e mirë për lëkurën? Dieta Mesdhetare.

Por kujdes me teprimin. Vitamina A e tepërt mund të shkaktojë tharje të lëkurës, turbullim të shikimit, ndjeshmëri ndaj diellit dhe madje edhe infeksione. Kjo vitaminë përdoret edhe për trajtimin e akneve të rënda, pasi redukton yndyrën në lëkurë dhe ka efekt anti-inflamator.