Në një pronë të mrekullueshme në bregdetin Matakana të Zelandës së Re, pushuesit mund të shijojnë një pishinë "infinity", një spa të ngrohur, një bodrum vere të fshehtë dhe një fushë tenisi. Por luksi më i pazakontë i kësaj experience është një tjetër: këshillimi psikologjik profesional në vend.

Bluestone Families, që organizon këto pushime të veçanta, i sheh udhëtimet familjare si mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Në një epokë digjitale ku vëmendja copëtohet vazhdimisht mes pajisjeve teknologjike, themeluesit e Bluestone besojnë se prindërimi është bërë më sfidues se kurrë – edhe për më të pasurit.

Për rreth 80,000 dollarë amerikanë (pa përfshirë biletat e fluturimit), familjet marrin jo vetëm përfitimet e një udhëtimi luksoz – ushqim të përgatitur me kujdes, aventura natyrore dhe rehatinë e një vendi të shkëputur nga stresi – por edhe praninë e një terapisti familjar të kualifikuar, gjatë gjithë qëndrimit.

Jack Avery, 37 vjeç, prind i dy fëmijëve, ndau shqetësimin që kishte për rritjen e fëmijëve të tij në një mjedis me shumë privilegje.

“Shkojmë shpesh me pushime dhe në vende të mrekullueshme. Kisha frikë që fëmijët e mi të mos bëheshin të përkëdhelur, të mos e humbnin ndjenjën e vërtetë të vlerës.”

Edhe pse vendi ishte idilik, qëllimi ishte më i thellë: mes aktivitetesh si qitja me hark dhe kajaku, familjet punonin mbi ndjenjat, frustrimet dhe ritmin e komunikimit të brendshëm.

Një nga rezultatet më të bukura? Familja filloi një ritual të ri: ndanin çdo darkë momentet më të bukura dhe ato më të vështira të ditës – një praktikë e thjeshtë, por me ndikim të thellë.