Nga Rafaela Xhaja

Nuk është e lehtë të merresh me art në moshë të madhe, por ka njerëz që vërtetojnë se nuk është as e pamundur. Jonuz Selimi është një skulptor me origjinë nga qyteti i vogël i Laçit. Sot është në moshën 75 vjecare dhe pamja e tij me rrudha të shumta në fytyrë dhe i kërrusur dëshmon këto vite që mban mbi supe.

Ulet çdo ditë në shëtitoren e Vollgës në qytetin bregdetar të Durrësit me çantën e tij të punës. Jonuz Selimi, prej rinisë së tij e deri në vitin 2008, ka ushtruar me dëshirë e pasion profesionin e tij të parë dhe të paharruar, skulpturën.Një pjesë të punimeve që ka gdhendur e modeluar, i ruan të fotografuara në albumin e vjetër që mban me vete dhe i ndan me të gjithë kalimtarët që ndalojnë qoftë edhe për ta takuar. Ndonëse në shtëpinë e tij ruan edhe një album tjetër me 500 faqe të kujtimeve gjatë proçsit të punës apo vlerësimeve që ka marr.

Jonuzi, dikur, si profesion të dytë ka pasur mësuesinë në qytetin e Laçit, por për shkak të kontradiktave me pushtetarët e kohës, ashtu siç pohon ai vetë,e pushuan nga puna dhe u zhvendos në qytetin e Durrësit që nga viti 2009. Dikur, si mik dhe adhurues i udhëheqësit komunist të vendit tonë, Enver Hoxha, gdhendi e modeloi katër buste të tij. Një nga bustet e artistit ngeli në qytetin e Laçit, një u dërgua në qytetin e Tiranës dhe vetëm njëri prej tyre u vendos ne qytetin e Gjirokastrës, por me ardhjen e demokracisë edhe ky bust u hoq.Vetëm njërin prej tyre Jonuz Selimi arriti ta shpëtonte dhe maskën e bustit e ka të ruajtur në shtëpinë e tij. Në kohën e komunizmit, atëherë kur Jonuzi ishte ende i ri dhe arti ishte pikësynimi i tij kryesor, udhëheqësi i kohës, me dëshirën për të reklamuar dhe ndihmuar artin, i dhuroi një studio të vogël, por të mjaftueshme për artistin Jonuz Selimi.

Kjo studio ishte e gjithë jeta për të, aty ku gdhendi e modeloi me qindra buste e koka të figurave të njohura të vendit tonë dhe jo vetëm. Skulptori thekson se puna e tij është dashur dhe pëlqyer nga të gjithë personazhet, por edhe nga njerëzit e rastësishëm rreth tij. Ndodhi ajo që nuk e priste. Studioja e tij e punës, ku gdhendte me orare të zgjatura nga dëshira dhe vullneti, tashmë nuk ishte më e tij. Me ardhjen e demokracisë dhe ligjeve të reja, Jonuz Selimi tregon se studioja e tij ndodhej pranë një kishe dhe trualli i tokës nuk i takonte më atij, por kishës katolike. Mbeti pa një studio që atëherë e deri në ditët e sotme.

Të gjitha punët e bëra dikur, ai sot i ruan në shtëpinë e tij, por nuk vazhdon më të gdhendë buste të tjera, sepse mungesa e studios e bën të pamundur, edhe pse dëshira është e madhe. Teksa përshkruan vështirësitë e jetës, zëri i dridhet dhe goja herë pas here i merret nga vrulli i emocioneve që e pushtojnë. Derë më derë ai ka trokitur për ndihmë, për rikthimin apo dhurimin e një studioje të re skulpture, por më kot. “Kam shkuar te shumë drejtues politikë të vendit apo të bashkisë së Durrësit për aq kohë sa kam qenë këtu, por hiç gjë. Askush nuk ka menduar për artin që unë dua t’ia lë trashëgimi vendit dhe artdashësve.” Sot Jonuz Selimi gjendet i ulur në stolin përballë bregut të detit, gjithmonë me një skicë në dorë, ku përpiqet të përcjellë një pjesë të tij te vizitorët e qytetit të Durrësit. Në pamundësi për të bërë skulptura, Jonuz skicon portrete në këmbim të parave në shëtitore.

Ka ditë që kthehet në shtëpi pa asnjë fitim, por pak vite më parë siguronte një vlerë të konsiderueshme parash nga portretet që vizitorët kërkonin prej tij. Në një botë ku ritmi i jetës është gjithnjë e më i shpejtë, arti si piktura apo skulptura duket sikur po mbetet në hije. Interesi për to zbehet ngadalë, jo nga mungesa e vlerës, por sepse vëmendja jonë është zhvendosur diku tjetër. Edhe pse për disa vite kursimet nga punët e tij ia bënin jetën më të lehtë, sot pensioni i artistit Jonuz Selimi është i pakët për kohën ku jetojmë dhe jetesa për të bëhet e vështirë. E teksa flasim për jetën, kthejmë sytë nga familja. Gjithë dashuri ai tregon se ka dy djem, por ka zgjedhur të jetojë i vetëm, pa u bërë barrë fëmijëve të tij.

“Nga trëndafili del edhe ferra,” – thotë një shprehje popullore që mund të zërë vend në kontrastin e Jonuzit me njërin nga djemtë e tij. “Unë nuk i kam mërzitur apo t’u bëhem barrë, por djali im i vogël, para disa kohësh, u mor me disa gjëra jo të ligjshme që më mërzitën, dhe për këtë, sigurisht që ai e pësoi,” – tregon ai. Jeta ka zgjedhur ta lërë të vetmuar në rrugëtimin që ai ka, pasi “nusja e tij e bukur” ndërroi jetë. “Do të doja ta kisha dhe sot, e të kalonim jetën së bashku.”

Pavarësisht se mungesa e bashkëshortes e shoqëron gjithmonë, nuk janë të pakët njerëzit që ai ka njohur gjatë këtij rrugëtimi. Një prej tyre është miku i tij, Ilir Vranozi, të cilin Jonuzi e falënderon dhe e përmend gjithmonë në bisedat e tij me kalimtarët. Iliri sot menaxhon edhe rrjetet sociale të artistit, duke postuar foto, video apo komunikime që Jonuz Selimi dëshiron të ndajë me ndjekësit e tij, pasi artisti vetë mban një telefon të vjetër “me butona” vetëm për të komunikuar me rrethin e tij të ngushtë, ndonëse edhe pleqëria nuk ia lehtëson procesin e të mësuarit të njërit prej “atyre telefonave të sotëm”.

Teksa afrohet në bregun e detit, ai heq me duar rërën e hedhur mbi një pllakë jo të vogël. Aty, nën rrezet e diellit, ai ka gdhendur në gurin e një pjese të shëtitores fytyrën e tij, për ta lënë si shenjë të artit dhe kur ai të mos jetë më. Prej vitesh, Jonuz Selimi ka gdhendur në gurë të ndryshëm të qytetit të Durrësit, ndonëse sot ky është i vetmi gur i mbetur që ka pak nga arti i tij, pasi pjesa tjetër është mbuluar me “llaç e tulla”. Kjo është e pakta që ai mund të bëjë, sepse dikur aftësia dhe pasioni e kishin bërë të gdhendte edhe në 12 tonë gur. Shumë njerëz e njohin dhe e përkrahin, gjithashtu edhe të huaj.

Ai i përshëndet dhe mundohet të komunikojë me ta, pavarësisht pamundësisë për të kuptuar gjithçka që ata i thonë. Historia e artistit të mirënjohur Jonuz Selimi tregon se arti nuk njeh moshë, por kërkon përkushtim, pasion dhe një zemër që nuk lodhet kurrë së këmbënguluri për atë që do.

Fytyra e tij e gdhendur në gur nuk është thjesht një portret, por është një kujtesë se arti nuk vdes, edhe kur rrethanat përpiqen ta zhdukin. Arti i një artisti si Jonuzi vazhdon të jetojë përmes një vizatimi, një skice, një gdhendjeje aty-këtu. Sepse arti i tij është më shumë se formë, është një zë që kërkon të mos harrohet.