Brad Pitt po përjeton një kapitull të ri në jetën e tij pas një prej divorceve më të përfolura në historinë e Hollywood-it, atij me Angelina Jolie.
Ylli i filmit “F1”, gjatë një interviste në podcastin “New Heights” të vëllezërve Travis dhe Jason Kelce, foli hapur për “betejat e jetës” dhe vullnetin për të lënë pas të kaluarën. “Divorci ishte diçka që e kishte marrë peng jetën e tij për shumë vite”, tha një burim pranë aktorit për Us Weekly. “E ka dashur shumë dhe e di që ka bërë gabime.”
Divorci me Jolie, që zgjati plot 8 vite për t’u finalizuar, u përshkrua nga burimi si “një situatë toksike dhe përçarëse”, që la pas shumë plagë.
Pitt dhe Jolie nisën lidhjen në 2004, kur u njohën në xhirimet e “Mr. & Mrs. Smith”. Pas 10 vitesh lidhje, ata u martuan në vitin 2014, por martesa zgjati vetëm 2 vite. Gjatë këtyre 12 viteve bashkë, ata krijuan një familje me gjashtë fëmijë: Maddox (23), Pax (21), Zahara (20), Shiloh (19) dhe binjakët Vivienne e Knox (16).
Pas ndarjes, marrëdhënia e Pitt me fëmijët u tensionua, veçanërisht pas incidentit të përfolur në avion në vitin 2016 dhe betejës së tij me alkoolin. “Të gjitha këto ndodhi e kthyen opinionin e fëmijëve kundër tij”, tha burimi. Megjithatë, Brad nuk ia vë të gjithë fajin Angelinës. “Ai nuk e fajëson atë për gjithçka.”
Sipas të njëjtit burim, aktori i “Fight Club” është penduar thellë për marrëdhënien e ftohur me fëmijët. “Për të, ky është pendimi më i madh që nuk mund të rregullojë këtë marrëdhënie. Procesi ligjor mund të ketë mbaruar, por fitues nuk ka.”
“Fakti që gjithçka është mbyllur është një lehtësim për të, por në të njëjtën kohë, është shumë e dhimbshme sepse raportet me fëmijët nuk janë aty ku ai do të donte.”
Në një intervistë me Dax Shepard, ai tregoi se kishte arritur “në fundin e forcave” dhe kishte nevojë për një “rilindje të brendshme”. “E provova gjithçka. Ishte një periudhë shumë e vështirë për mua. Më duhej një ‘reboot’.”
Aktualisht, aktori 61-vjeçar është në një lidhje serioze me Ines de Ramon. Një tjetër burim thotë për Us Weekly se Brad ndihet i lehtësuar që gjithçka ligjërisht ka përfunduar. Por, pasojat emocionale do e ndjekin përjetë.