Jennifer Lopez është rikthyer me një frymë të re, por me plagët ende të freskëta. Këngëtarja dhe aktorja 55-vjeçare ka befasuar fansat e saj me një baladë të re, ku rrëfen dhimbjen dhe forcën që erdhën pas ndarjes me Ben Affleck.

Gjatë një 'listening party' privat në Los Angeles, ku ishin të ftuar vetëm 30 fansa, J.Lo prezantoi gjashtë këngë të reja, mes tyre edhe “Wreckage of You”, një këngë që flet për një dashuri të shkatërruar, por që nuk e shkatërroi atë.

“E shkroi dhe e regjistroi vetëm dy javë më parë,” tregoi një prej të ftuarve. “Ajo tha se pas një dite të gjatë provash për turneun, ishte shtrirë në shtrat kur i lindi ideja për këngën. Viti që lamë pas ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të, si personalisht, ashtu edhe profesionalisht.”

Lopez, e cila anuloi turneun e saj në 2024 për t’iu përkushtuar vetes, tha se fjala “wreck” (rrënojë) i përsëritej vazhdimisht në mendje. “Sepse edhe pse gjithçka u shemb, unë nuk u shkatërrova. Përkundrazi,” – tha ajo. Në tekstin e këngës thuhet: “Jam më e fortë pas rrënojave të tua.”

Një tjetër dëgjues e përshkroi këngën si “shumë emocionale dhe fuqizuese, një himn për të gjitha gratë që largohen nga marrëdhënie të dhimbshme dhe rikthehen më të forta”.

Pesë këngët e tjera që u prezantuan ishin më ritmike: “Up All Night”, “Regular”, “Free”, “Save Me Tonight” dhe “Birthday”, të cilat, sipas fansave, “kanë një energji të vërtetë dhe shumë vibe pozitiv”.

Ndarja mes Jennifer Lopez dhe Ben Affleck u bë publike në gusht 2024, pas dy vitesh martesë. Por që prej prillit të atij viti, thuhej se çifti ishte ndarë në heshtje. Divorci u finalizua në janar, dhe që nga 21 shkurti, të dy janë zyrtarisht beqarë.

Por duket se Lopez tashmë është gati të nisë një kapitull të ri. Një burim pranë saj ka thënë për Page Six se ajo “është e hapur për të njohur dikë të ri dhe nuk ka hequr dorë nga ideja e dashurisë.”

Me “Wreckage of You”, J.Lo nuk na sjell vetëm një këngë të ndjerë, por një dëshmi që pas çdo fundi, mund të ketë një fillim akoma më të fortë.