Pas muajsh spekulimesh dhe thashethemesh, është bërë zyrtare: Katy Perry dhe Orlando Bloom janë ndarë.
Në një deklaratë të përbashkët për 'Page Six', përfaqësuesit e ish-çiftit thanë:
“Për shkak të interesit dhe diskutimeve të shumta në lidhje me marrëdhënien mes Katy Perry dhe Orlando Bloom, konfirmojmë se të dy kanë ndryshuar natyrën e marrëdhënies së tyre muajt e fundit për t’u fokusuar tek bashkëprindërimi.”
“Do të vazhdojnë të shihen bashkë si familje, sepse prioriteti i përbashkët ka qenë dhe do të mbetet rritja e vajzës së tyre me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë.”
Katy dhe Orlando u njohën në një afterparty të Golden Globes në vitin 2016 dhe u fejuan më 14 shkurt 2019. Një vit më pas, më 26 gusht 2020, erdhi në jetë vajza e tyre, Daisy Dove.
Por pas thuajse 10 vitesh histori dashurie, duket se marrëdhënia mes tyre kishte kohë që po përjetonte tensione. Burime për Us Weekly konfirmojnë se ndarja ndodhi muajin e kaluar dhe se, megjithëse e dhimbshme, ishte një ndarje pa drama.
“Katy është natyrisht e trishtuar, por ndjen edhe lehtësim që nuk po kalon një tjetër divorc. Ai ishte një prej kapitujve më të errët në jetën e saj,” u shpreh një burim pranë këngëtares.
Pas ndarjes, Orlando Bloom u fotografua në Itali duke festuar me miqtë e tij në dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez. Katy, nga ana tjetër, mungoi në këtë event dhe është përqendruar tek turneu i saj “Lifetimes”.
Pak ditë më parë, aktori i “Pirates of the Caribbean” postoi në Instagram disa citate të thella nga Carl Jung, që flasin për vetminë, dhimbjen dhe ekuilibrin mes lumturisë dhe errësirës. Fansat e lexuan si një reflektim të qartë pas ndarjes.
Edhe pse marrëdhënia e tyre si çift ka përfunduar, Katy dhe Orlando e bëjnë të qartë se lidhja si prindër nuk do të shuhet. Ata do të jenë gjithmonë bashkë për vajzën e tyre, Daisy.