Sa shpesh e kemi thënë ose dëgjuar fraza si: “Nuk më tregon që më do” ose “Nuk ndihem i rëndësishëm për të”? Jo për mungesë ndjenje, por sepse ajo thjesht nuk po përçohet në mënyrën që na flet zemra. Zemra dhe stomaku mund ta ndjejnë dashurinë, por mendja rri e uritur, e pasigurt, në kërkim të provave më të prekshme, më të përputhshme me mënyrën tonë të “përkthyer” të dashurisë.

Ky është thelbi: çdo njeri ka një kod të vetin të dashurisë, të ndërtuar nga përvoja të hershme, që nga mënyra si jemi dashur që foshnje. Ky “idiom afektiv” ndikon jo vetëm si duam të na duan, por edhe si e shfaqim ne vetë dashurinë. Dhe problemi lind kur e marrim këtë gjuhë personale si universale dhe presim që partneri të na kuptojë pa përkthim.

Në fakt, në dashuri ndodh pikërisht kjo: flasim gjuhë të ndryshme dhe çuditemi që nuk kuptohemi.

Sipas terapeutit dhe autorit Gary Chapman, ekzistojnë pesë “gjuhë të dashurisë” që, siç shpjegon edhe pedagogisti dhe këshilltari emocional Simone Migliorati, janë mënyra të ndryshme se si ne e japim dhe e marrim dashurinë. Nuk jemi të ngurtë, shpeshherë i ndërthurim më shumë se një, por zakonisht njëra është dominuese, dhe nëse ajo mbetet e papërkthyer, dashuria, sado e fortë, mund të ndjehet si bosh.

Çfarë ndodh kur dy persona flasin “gjuhë të ndryshme” të dashurisë?

“Ndodh shumë më shpesh sesa mendojmë,” thotë Migliorati. “Njëri jep dashuri përmes veprimeve konkrete, tjetri kërkon fjalë të ëmbla. Dhe ndodhin keqkuptime. Por nuk është problem, është mundësi për rritje. Ta mësosh gjuhën e tjetrit është vetë një akt dashurie.”

Pesë gjuhët e dashurisë sipas Gary Chapman

1.Kontakti fizik
Puthjet, përqafimet, përkëdheljet, është gjuha më instinktive. Për dikë që ka këtë si mënyrën kryesore të dashurisë, mungesa e prekjes ndihet si mungesë dashurie.
2.Fjalët e konfirmimit
Fjalët kanë peshë. “Të dua”, “Jam krenar për ty”, “Më mungon”, për disa, këto janë më të rëndësishme se çdo dhuratë.
3.Dhuratat
Nuk ka të bëjë me çmime apo luks. Një lule e marrë nga rruga mund të thotë: “Mendova për ty”. Është simbolika ajo që e bën të vlefshme.
4.Gjestet e kujdesit
Të gatuash, të ndihmosh në shtëpi, të bësh diçka që i lehtëson ditën tjetrit, për këtë grup, dashuria është veprim, jo fjalë.
5.Koha cilësore
Të jesh vërtet prezent, një shëtitje pa telefon, një bisedë e thellë, një film i ndjekur bashkë me të gjitha shqisat. Vëmendja është dhurata më e madhe.

Në fund të ditës, dashuria ndonjëherë nuk ka munguar thjesht ka folur në një gjuhë që nuk e kemi mësuar ende. Kur fillojmë ta kuptojmë, dashuria nuk na përmbyt më, por na ujit me kujdes. Dhe, nganjëherë, mjafton një përkthim për të shpëtuar një marrëdhënie.