Pas një sezoni të qetë dhe larg syve të publikut televiziv, Arbana Osmani është gati për një rikthim. Moderatorja ikonë, e cila mungoi nga ekranet tradicionale gjatë sezonit të kaluar, ka zgjedhur të vijë në shtator me jo një, por dy projekte të reja, të dyja të pozicionuara larg televizionit klasik dhe të drejtuara nga dinamika e re digjitale.

Pas suksesit të “Mirëmbrëma yje”, një talk-show intim dhe emocional që u transmetua në YouTube dhe që u përqafua menjëherë nga publiku, Osmani ka konfirmuar se formati do të rikthehet për një sezon të dytë. Me intervista që depërtonin përtej fasadës, ku personazhet ndaheshin pa filtra, Arbana solli një mënyrë të re të të bërit televizion pa studio, pa drita të mëdha, por me thellësi dhe afërsi emocionale.

Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Moderatorja ka paralajmëruar edhe një projekt tërësisht të ri, po në YouTube. Detajet rreth këtij formati të dytë mbahen ende sekret, por ajo që dihet është se do të jetë diçka ndryshe nga gjithçka kemi parë prej saj më parë. Një përpjekje për të eksploruar dimensione të reja të komunikimit, të orientuara drejt një audience më të re, më të lirë dhe më kërkuese për përmbajtje autentike.

Një pjesë nga intervista:

Cilat janë projektet e tua të radhës?
Kam dy projekte për në Youtube, ku njëri është “Mirëmbrëma Yje” dhe tjetri do jetë suprirzë


Po në televizion do kemi gjë?
Në televizion mund të jetë një projekt tjetër. Unë jam gjithmonë e hapur për të punuar në televizion, në një medium që e dua shumë dhe që më ka bërë të njohur tek të gjithë shqiptarët

E pyetur për Big Brother thotë:
Kur do mbarojë kjo pyetje?! Gjithsesi sa herë që më bëhet kjo pyetje, e marr si një shenjë dashurie, por nuk e kam një përgjigje për këtë.