A e dini? Në verë, problemet me sytë rriten me 25-30%.
Ndërsa këshillat për mbrojtjen e lëkurës janë të zakonshme që në fillim të sezonit të verës, shëndeti i syve shpesh neglizhohet, edhe pse në këtë periudhë ata janë të ekspozuar ndaj stresit të madh nga nxehtësia, rrezet e diellit dhe faktorët e jashtëm si era, uji i kripur, klori dhe rëra. Sipas Dr. Sergio Ares nga Klinika Baviera, kjo mund të çojë në inflamacion dhe infeksione serioze, që jo vetëm dëmtojnë shikimin, por mund të prishin dhe pushimet. Ndër shqetësimet më të zakonshme përmenden: fotokeratiti, konjuktiviti, keratokonjuktiviti, syri i thatë dhe blefariti.
5 shqetësimet më të shpeshta të syve në verë:
Thatësia e syve – Nxehtësia dhe ndryshimi nga klima e lagësht në ajër të kondicionuar të thatë shkaktojnë dehidrim, duke i bërë sytë të thatë dhe të irrituar.
Inflamacionet – Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV shkakton inflamacion të sipërfaqes së syrit (konjuktivit, keratit).
Infeksionet – Pishinat dhe ambientet e lagështa përhapin baktere dhe viruse të dëmshme për sytë.
Lodhja vizuale – Drita e fortë, era dhe ajri i thatë lodhin pamjen.
Irritimet – Kremrat e diellit, rëra dhe uji i kripur irritojnë sytë, veçanërisht nëse futen direkt në kontakt me ta.
Si të mbroni sytë gjatë pushimeve:
1. Qëndroni të hidratuar
Pini shumë ujë dhe mbani me vete pika artificiale për sytë, sidomos gjatë orëve të nxehta. Frutat dhe perimet ndihmojnë gjithashtu në mbajtjen e syve të lagësht.
2. Syze dielli me mbrojtje UV
Zgjidhni syze me mbrojtje të certifikuar, preferohet me filtër UV 400, që bllokon 99-100% të rrezeve UVA dhe UVB.
3. Kujdes me ajrin e kondicionuar
Mos e përdorni në mënyrë të tepruar pasi përkeqëson thatësinë e syve.
4. Mos fërkoni sytë
Pas larjes në det apo pishinë, fërkimi i syve mund të fusë grimca rëre apo substanca irrituese.
5. Pastroni sytë pas notit
Përdorni solucion fiziologjik për të shpëlarë sytë nga klori apo kripa.
6. Pastroni sytë me garza sterile
Mos përdorni peshqirë publikë – përdorni garza sterile për të shmangur infeksionet.