A ju ka ndodhur ndonjëherë të dilni me një mik dhe, në fund të takimit, të ndiheni të lodhur, të mërzitur apo të pasigurt, pa ndonjë arsye të qartë? Ndonëse miqësia duhet të jetë një hapësirë sigurie dhe mirëkuptimi, shpesh ajo mund të shndërrohet në një burim stresi, manipulimi dhe zhgënjimi.
Sipas psikologes Elena Benvenuti, miqësitë toksike maskohen si marrëdhënie të ngushta, por në të vërtetë lënë pas një ndjesi boshllëku dhe vetëkritike të lartë. Ajo thekson rëndësinë e vendosjes së kufijve dhe të identifikimit të dinamikave jo të shëndetshme për të mbrojtur mirëqenien emocionale.
Psikologia dhe pedagoge Erin Meyer ka identifikuar 10 shenja që tregojnë se një miqësi është kthyer në toksike dhe mund të kërkojë ndërhyrje – ose edhe një ndarje të shëndetshme.
1. Ndiheni të gjykuar, jo të dëgjuar
Kur ndani një problem, miku juaj nuk ju dëgjon vërtet – ai ju jep këshilla të mbështjella me gjykim, duke ju bërë të ndiheni gabim dhe të pavlefshëm.
2. Biseda sillet gjithmonë rreth tij/asaj
Çfarëdo që të flisni, biseda përfundon gjithmonë tek ai/ajo. Sukseset, dramat, historitë – gjithçka rrotullohet rreth nevojave të tij/saj, ndërsa ju bëheni spektatorë në jetën e vet.
3. Ju bën të ndiheni fajtor kur kërkoni hapësirë
Nëse nuk përgjigjeni menjëherë ose kërkoni kohë për veten, krijohet një dramë. Ndiheni sikur duhet të jeni gjithmonë të disponueshëm.
4. Ka një konkurrencë të fshehtë dhe të dëmshme
Arritjet tuaja ndeshen me buzëqeshje të sforcuara dhe komente që i zvogëlojnë ato. Është një shenjë xhelozie dhe mungese gëzimi për suksesin tuaj.
5. Shton dyshim mbi emocionet tuaja
Kur shprehni ndjenja si trishtimi apo zhgënjimi, merrni përgjigje si: “Je duke e ekzagjeruar” ose “Nuk është gjë”. Kjo e ul vlerën e përvojës suaj emocionale.
6. Ju bën të ndiheni borxhli
Çdo gjest mirësie përdoret më pas si një kartë borxhi. Ju përkujtohet vazhdimisht sa shumë ka bërë për ju dhe çfarë duhet t’i ktheni mbrapsht.
7. Është aty vetëm kur i nevojitet
Kur kaloni kohë të vështira, ai/ajo zhduket. Por kur ka nevojë për ndihmë ose mbështetje, pritet që ju të jeni aty në çdo moment.
8. Kritikon miqësitë e tjera që keni
Bën komente negative për njerëzit që frekuentoni, nxit xhelozi, thashetheme dhe përpiqet të krijojë përçarje për të ruajtur kontrollin mbi ju.
9. Ju lë emocionalisht të shteruar
Pas çdo takimi ndiheni më të lodhur dhe më të mërzitur se më parë. Energjia e bisedave është e rëndë, e ankthshme dhe ndiheni të zhveshur emocionalisht.
10. Përdor dobësitë tuaja kundër jush
E njeh mirë pasiguritë tuaja dhe i përdor, qoftë edhe në mënyrë të nënkuptuar, për t’ju bërë të ndiheni të pavlerë. Kjo godet vetëbesimin tuaj dhe krijon ndjenjën e vogëlsisë.
Si të veproni?
Miqësia, njësoj si dashuria, ka nevojë për respekt, ndershmëri dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Nëse ndiheni të lënduar në mënyrë të përsëritur, është koha të pyesni veten: Kjo marrëdhënie më ushqen apo më shteron? Ndoshta një bisedë e sinqertë mund të ndihmojë, por nëse jo, largimi është një akt vetëmbrojtjeje, jo egoizëm.