Një rutinë e thjeshtë dhe efikase ecjeje e zhvilluar nga studiues japonezë në vitin 2007 po përjeton një rilindje virale në TikTok, veçanërisht nën hashtagun #FitTok. Quhet “Japanese Walking” dhe kombinon qetësinë e ecjes me fuqinë e stërvitjes me intervale dhe rezultatet janë mbresëlënëse.
Çfarë është "Japanese Walking"?
Metoda është tepër e thjeshtë: Ec për 3 minuta me ritëm të shpejtë, pastaj për 3 minuta me ritëm të ngadaltë dhe përsërite këtë cikël për gjithsej 30 minuta.
Stili u prezantua fillimisht nga profesorët Hiroshi Nose dhe Shizue Masuki në Universitetin Shinshu, të cilët kryen një studim me 246 të moshuar. Ata u ndanë në tre grupe: pa ecje, ecje të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe ecje me intervale të alternuara.
Çfarë tregoi studimi?
Pas 5 muajsh, grupi që ndoqi ecjen me intervale kishte përmirësime të dukshme në:
Forcën e këmbëve
Formën fizike të përgjithshme
Uljen e tensionit të gjakut
Të dhëna të mëvonshme me mbi 700 pjesëmarrës treguan gjithashtu përmirësime në:
Gjumin
Gjendjen mendore
Simptomat e depresionit
Funksionin njohës (kujtesën dhe fokusin)
Pse funksionon?
“Japanese Walking” funksionon sipas parimit të mbingarkesës: duke i shtyrë muskujt, zemrën dhe mushkëritë përtej rutinës, trupi detyrohet të adaptohet, të forcohet dhe të përmirësohet. Profesori i fiziologjisë John Buckley shpjegon:
“Me këto shpërthime të shkurtra ushtrimesh, ne e detyrojmë trupin të hyjë në një fazë përmirësimi.”
Ky ritëm pasqyron edhe mënyrën natyrale të lëvizjes së njeriut – alternimi mes veprimit të shpejtë (si kur iknim nga rreziku) dhe aktivitetit të qetë.
Përfitimet shëndetësore
Përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës
Ulet presioni i gjakut
Rrit shpenzimin e energjisë pas aktivitetit
Ndihmon në parandalimin e diabetit, obezitetit dhe sëmundjeve të zemrës
Ul rrezikun për ishemi cerebrale (stroke)
Dhe për mendjen?
Studime të fundit tregojnë se stërvitja me intervale, si kjo, ndihmon edhe në uljen e ankthit.
“Kur i rrit intensitetin aktivitetit, truri yt duhet të fokusohet totalisht aty – një efekt që i ngjan meditimit”, – thotë Buckley.
TikTok këtë herë mund të ketë zbuluar një trend që ia vlen: një mënyrë e thjeshtë, pa kosto, për të përmirësuar trupin dhe mendjen në vetëm gjysmë ore në ditë. Dhe nëse ke dyshime, kujto se kjo s’është vetëm një “trend” por një praktikë me bazë të fortë shkencore.