Këngëtari i njohur Justin Timberlake ka zbuluar se është diagnostikuar me sëmundjen Lyme, përmes një postimi emocional në Instagram.
Njoftimi erdhi pasi ai përfundoi turneun e tij global “Forget Tomorrow”, i cili u mbyll të mërkurën në Turqi, pas më shumë se 120 shfaqjesh në mbarë botën.
“Ka qenë përvoja më argëtuese, emocionale, shpërblyese, fizikisht e lodhshme dhe, herë pas here, rraskapitëse që kam përjetuar ndonjëherë,” – shkroi Timberlake për turneun që zgjati mbi një vit.
Këngëtari 43-vjeçar tha se diagnoza me Lyme e tronditi thellë dhe se kjo sëmundje “mund të jetë pa mëshirë shkatërruese, si mendërisht ashtu edhe fizikisht”.
Sëmundja Lyme – Çfarë është?
Lyme transmetohet nga rriqrat Ixodes, të njohur edhe si “rriqrat e drerit”. Shenja e parë shpesh është një skuqje, ndërsa nëse nuk trajtohet mund të çojë në artrit të rëndë dhe dëmtime të zemrës apo sistemit nervor.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, sëmundja trajtohet me sukses me antibiotikë.
Edhe pse ndodhej përballë sfidave të mëdha shëndetësore, Timberlake u tregua i vendosur të mos dorëzohej.
“Jam njeri shumë privat. Kam menduar seriozisht të ndaloj turneun kur mësova diagnozën, por vendosa që gëzimi që më jep performanca ia vlen më shumë se stresi i përkohshëm fizik. Dhe jam shumë i lumtur që e vazhdova.”
Gjatë turneut, këngëtari u detyrua të anulonte apo shtynte disa koncerte për shkak të problemeve shëndetësore, përfshirë bronkitin dhe laringitin. Ai anuloi edhe koncertin e fundit të pjesës amerikane të turneut në Ohio, në shkurt, për shkak të gripit.
Në fund të postimit, Timberlake i kushtoi fjalë prekëse bashkëshortes së tij, Jessica Biel, dhe dy djemve të tyre, Silas dhe Phin.
“Asgjë nuk është më e fuqishme se dashuria juaj pa kushte. Ju jeni zemra dhe shtëpia ime. Po vij.”
Timberlake është një ndër disa figura të njohura që kanë folur hapur për përballjen me sëmundjen Lyme. Të tjerë përfshijnë Amy Schumer, Justin Bieber, Shania Twain dhe ish-yllin e “Real Housewives of Beverly Hills”, Yolanda Hadid, e cila është bërë një zë i fuqishëm për vetëdijesimin ndaj kësaj sëmundjeje. Hadid ka zbuluar gjithashtu se edhe fëmijët e saj, Bella dhe Anwar Hadid, vuajnë nga kjo sëmundje.
Megjithatë, komuniteti shkencor ende debaton mbi ekzistencën e një forme “kronike” të Lyme. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) nuk e njeh termin “Lyme kronike”, duke theksuar se shkaku i simptomave afatgjata nuk është plotësisht i qartë.