Në një kohë kur vlerat shpesh humbasin mes zhurmës dhe nxitimit, “Made in Italy in Tour” vjen si një ftesë për t’u ndalur, për të vështruar më thellë, për të udhëtuar me elegancë dhe për të kuptuar më shumë. Një nismë e ideuar dhe kuruar nga Xhani Shqerra, që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe bëhet një dialog i gjallë ndërmjet historisë, kulturës, artit dhe bashkëpunimit midis Italisë dhe Shqipërisë.
Turneu nisi në një vend me simbolikë të fortë: përballë butik-ut Aquamarine Firenze në fasadën e stadiumit “Air Albania” – një vepër arkitektonike moderne që mban firmën e arkitektit të njohur italian Marco Casamonti, një tjetër shembull i fuqisë krijuese të lidhjeve mes dy vendeve. Prej aty, nisi një rrugëtim që do të shpaloste shumë më tepër se destinacione – do të tregonte një histori miqësie dhe bashkëpunimi.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, ishte i pranishëm në nisje, duke përçuar një mesazh të qartë institucional: mbështetjen e Ambasadës Italiane ndaj vlerave të përbashkëta, ndaj kulturës si urë bashkëjetese, dhe ndaj të rinjve si bartës të një shprese të re mes vendeve. I vlerësuar për stilin e tij të veçantë dhe dinamizmin në komunikim, Ambasadori Alberti vuri në dukje rëndësinë e diplomacisë kulturore si një mekanizëm i butë, por i fuqishëm i afrimit mes popujve.
Pas tij, u prezantua edhe një figurë që mishëron elegancën dhe identitetin italian: Franco Mazzetti, i ftuar me nder të veçantë nga Aquamarine Firenze si bashkëpunëtor i vjetër dhe mik besnik i frymës “Made in Italy”. Me përvojë të gjatë në skenën e Pitti Uomo, Mazzetti nuk kishte nevojë të fliste sepse flet stili i tij. Me qëndrimin e tij hijerëndë dhe veshjen klasike, ai u kthye në një shenjë fisnikërie urbane që përçon përkatësi dhe vizion.
Karvani i Vespa Club Tirana i dha jetë këtij udhëtimi jo vetëm si mjet lëvizjeje, por si simbol shpirti të lirë, pasioni për estetikën dhe besnikërie ndaj trashëgimisë italiane. Mes motorëve që pëshpëritnin histori e rrugëve të mbushura me ngjyra, ata u nisën drejt ndalesës së parë: Krraba. Mes natyrës së gjelbër, karvani u ndal në një rrugë me histori të veçantë të projektuar në vitet ’30 nga inxhinieri italian Cassina, një shenjë tjetër e bashkëpunimit që rrjedh në rrënjët tona urbane.
Rrugëtimi vijoi drejt Elbasanit, një qytet që mbart gjurmë të thella të qytetërimit dhe dialogut. Në qendër të tij, Shkalla e Dialogut të Kulturës dhe Turizmit, një vepër publike e firmosur nga vetë Xhani Shqerra, u kthye në pikën më të fortë simbolike të turit. Me sloganin #ejanelba, ajo përfaqëson bashkëbisedimin midis brezave, identiteteve dhe traditave. Në këtë ndalesë, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, mirëpriti karvanin dhe vlerësoi turneun si një frymëzim konkret për zhvillimin e qytetit përmes turizmit dhe shkëmbimeve ndërkulturore.
Udhëtimi gjeti përmbylljen e tij në Palasë, aty ku peizazhi gërsheton madhështinë e natyrës me hijeshinë e Mesdheut. Me sfondin e detit dhe malit, “Made in Italy in Tour” u mbyll me një moment reflektimi mbi thelbin e këtij projekti: ruajtjen e vlerave përmes modernitetit, elegancës dhe partneritetit të sinqertë mes dy vendeve.
Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, Aquamarine Firenze shfaqet jo vetëm si markë veshjesh, por si një platformë mendimi dhe ndikimi estetik e kulturor. Misioni i saj është të përçojë jo vetëm modën italiane, por edhe filozofinë e jetesës që i shkon për shtat një Evrope që bashkëpunon.
Në thelb të kësaj nisme qëndron Xhani Shqerra, i cili nuk është më thjesht një emër i njohur në fushën e medias apo projekteve artistike apo Brand Ambasador i Made in Italy. Prej vitesh, ai ka ndërmarrë iniciativa të tilla të përmasave të mëdha nga projektet lokale te ato ndërkombëtare, të ndërlidhura gjithmonë me fokus te identiteti, dialogu dhe zhvillimi. Takimet e tij me elitat politike e kulturore të Firences, nismat për bashkëpunime bilaterale në fushën e rinisë dhe artizanatit, si dhe fushatat për promovimin e vlerave të përbashkëta të turizmit mes Shqipërisë dhe Italisë, e kanë shndërruar në një figurë kyçe të diplomacisë kulturore, dialogut ekonomik dhe lidhjes së territorit me ide të mëdha.
View this post on Instagram