Lajmi ka bërë xhiron e rrjetit kohët e fundit: thuhet se nga shtatori përdorimi i thonjve me xhel është ndaluar në Bashkimin Evropian. Por si qëndron e vërteta dhe çfarë duhet të dimë në të vërtetë?
Sipas rregulloreve të BE-së, nga shtatori është ndaluar përdorimi i thonjve me xhel që përmbajnë një substancë të quajtur TPO (Trimethylbenzoyl-diphenylphosphine oxide), e cila është klasifikuar si toksike për shëndetin riprodhues. Kjo do të thotë se TPO do të hiqet nga xhelat e thonjve dhe produktet e tjera kozmetike që vijnë në kontakt me lëkurën, flokët apo thonjtë.
Çfarë është TPO dhe pse përdoret?
TPO është një fotoiniciator, një substancë që përdoret për të filluar reaksionin kimik që shndërron xhelin në një formë të fortë. Kur ekspozohet ndaj dritës UV ose LED, TPO aktivizohet dhe krijon një reaksion zinxhir që bën që xheli të polimerizohet dhe të bëhet i fortë. Falë TPO-së, xheli ngurtësohet më shpejt dhe më plotësisht, edhe me intensitet më të ulët drite.
Ai është përdorur gjerësisht në dekadën e fundit në xhelat e thonjve, por edhe në fushën e dentistrisë, për shkak të efikasitetit të tij.
A ka arsye për t’u shqetësuar?
Ekspozimi i shpeshtë ndaj TPO mund të ketë efekt të dëmshëm mbi shëndetin, veçanërisht mbi sistemin riprodhues. Sipas ekspertëve, për njerëzit që kanë bërë manikyr me xhel për vite me radhë, të dhënat shkencore aktuale nuk tregojnë se ka pasojë të drejtpërdrejtë për shëndetin, pasi shumica e TPO-së reagon gjatë polimerizimit dhe ngec brenda xhelit.
Megjithatë, për ata që punojnë me materiale të papolimerizuara çdo ditë, si punonjësit e salloneve, ekziston një rrezik i rritur, ndaj rekomandohen dorashkat, ventilimi i mirë i ambientit dhe përdorimi i produkteve të certifikuara.
Ku gjendet TPO-ja?
Substanca gjendet kryesisht në xhelat e thonjve që ngurtësohen me dritë UV/LED. Megjithatë, TPO gjendet edhe në disa materiale dentare dhe në disa lëndë industriale.
Si të sigurohemi për produktet që përdorim?
Sipas rregullave të BE-së, çdo produkt kozmetik duhet të ketë deklarim të saktë të përbërësve. TPO duhet të jetë i listuar qartë. Problemet mund të lindin kur produktet blihen jashtë kanaleve të verifikuara, ku deklarimet mund të jenë të paplota ose të rreme.
Ekspertët këshillojnë të zgjidhen sallone të verifikuara dhe të përdoren produkte të certifikuara nga prodhues të njohur.
A ka alternativa më të sigurta?
Ekzistojnë alternativa më të sigurta, si TPO-L ose fotoiniciatorë të rinj si Ivocerin, por asnjë nuk është 100% ideal. Industria është duke punuar për zgjidhje që të kenë të njëjtin efekt si TPO, por pa ndikim negativ mbi shëndetin riprodhues.
Produktet kozmetike sot janë kryesisht të sigurta për përdorim, sidomos në sallone të kontrolluara dhe me produkte të certifikuara. Përdorimi i matur dhe i zgjuar i këtyre produkteve mund të bëhet pjesë e përditshmërisë pa rrezik të madh për shëndetin.