Ka vende që mbeten të gdhendura në kujtesë jo vetëm për peizazhin, por për historitë që bartin. Një prej tyre është Spilleja, një bregdet që për dekada ka jetuar mes natyrës së paprekur dhe ëndrrave të familjeve shqiptare që kërkonin pushim, qetësi dhe freski mes pishave të pafundme. Dikur një shteg i thjeshtë rëre që të çonte drejt detit, sot Spilleja është shndërruar në një prej destinacioneve më të dashura të bregdetit të Adriatikut. Dhe në qendër të kësaj transformimi, qëndron një hotel: Albatros.
Historia e tij është e lidhur ngushtë me historinë e një familjeje, që guxoi të ndërtonte hotelin e parë në këtë zonë, në një kohë kur askush nuk e mendonte se Spille do të bëhej pjesë e hartës turistike të Shqipërisë. Ishte viti 1996, një periudhë e vështirë për vendin, por ëndrrat nuk pyesin për kohë të lehta. Me mund, me sakrifica dhe me shumë besim, babai i Gent Gunit dhe dy vëllezërit e tij ngritën themelet e një hoteli që do të bëhej pikënisja e një historie të gjatë.
Sot, pas gati tri dekadash, Albatrosi është rikthyer me një fytyrë të re. Jo vetëm si një hotel, por si një destinacion veror që mishëron vizion, pasion dhe standarde moderne. Dhe pas këtij transformimi, qëndron një emër i ri, por i rritur mes kujtimeve të vjetra: Gent Guni. Ai që u rrit duke parë pushuesit që luanin volejboll në rërë, duke dëgjuar muzikën që gumëzhinte netëve të gjata, dhe që sot ka marrë përsipër ta çojë më tej këtë histori familjare, duke e kthyer Albatrosin në një simbol të ri të Spilles.
Në këtë intervistë për Revista Class, ai na rrëfen si lindi ëndrra, sfidat e transformimit, momentet e dyshimit dhe vizionin për të ardhmen.
Dhe ndoshta pyetja më natyrshme për të nisur këtë rrëfim është:
Si ka nisur historia e Albatros dhe çfarë roli ka pasur familja juaj në zhvillimin e Spilles? Cili ka qenë kujtimi yt i parë nga hoteli kur ishit fëmijë?
Historia e Albatros fillon në fund të viteve ’80, kur familja ime zbuloi Spillen për herë të parë. Nuk kishte asfalt, vila apo lokale, vetëm rërë, pyll pishash dhe një det të pastër kristal. Ishte si një vend i fshehtë që e morëm për zemër. Pas disa vitesh emigrimi, babai im dhe dy xhaxhallarët vendosën të ndërtonin këtu hotelin e parë në vitin 1996. Fillimisht ishte një ndërtesë e vogël me dy kate, më pas u zgjerua.
Unë u rrita aty. Kujtimet e mia të para janë të lidhura me rrjetën e volejbollit që ngrinte çdo mëngjes, ndeshjet e pushuesve dhe duartrokitjet që të bënin të ndiheshe në një arenë sportive. Netët me muzikë dhe valle, diskoteka e vogël e hotelit, emocionet e pushuesve, të gjitha këto janë pjesë e fëmijërisë sime.
Emrin ia vunë “Albatros”, jo rastësisht. Ky shpend madhështor, që konsiderohet “mbreti i detit” dhe është i pari që paralajmëron detarët për tokën, u bë simbol i ëndrrës sonë: të ishim të parët në Spille, ata që do i tregonin Shqipërisë se ky vend kishte potencial.
Çfarë të shtyu të ndërmerrje restaurimin dhe ta ktheje në një projekt kaq modern?
Hoteli u plak bashkë me kujtimet tona, por unë nuk mund ta pranoja që Albatrosi të mbetej thjesht një kujtim. Ndihesha sikur kisha një detyrim moral dhe emocional ndaj familjes sime. Kam parë sakrificat e tyre, buzëqeshjet e pushuesve, dhe nuk doja që kjo histori të humbiste. Me këmbëngulje, me një plan biznesi dhe vizion të qartë, binda familjen se ishte koha për një epokë të re.
Cili ka qenë momenti më sfidues gjatë këtij transformimi?
Ka pasur shumë, por një natë më ka mbetur e paharruar. Ishim në muajin e pestë të punimeve, shiu binte pa pushim, punëtorët ishin të lodhur dhe disa mendonin se nuk do të arrinim kurrë ta hapnim në kohë. Unë u tremba vërtet, mendova se ndoshta kisha marrë shumë përsipër. Pikërisht atë natë më telefonoi xhaxhai im nga jashtë dhe më tha: “Genti, Albatrosi nuk është thjesht tullë e hekur. Është emri ynë, trashëgimia jonë. Dhe kur diçka mban emrin tonë, nuk ka të drejtë të ndalet.”
Ato fjalë më dhanë forcë dhe më ringritën. Sot, kur shëtis në korridoret e reja, më duket sikur ende e dëgjoj zërin e tij.
View this post on Instagram
Si e sheh zhvillimin e Spilles si destinacion turistik në krahasim me vitet e kaluara?
Kur ndërtuam të parët në Spille, zona ishte krejt e virgjër. Sot ka mbi 30 hotele dhe rreth 60 biznese restorante e bar. Megjithatë, unikaliteti i Spilles ka mbetur i paprekur: rëra me veti kurative, deti kristal dhe pylli i pafund i pishave. Ky kombinim nuk gjendet lehtë në bregdetin shqiptar. Sfida ime ishte ta bëja Spillen edhe tërheqëse për të rinjtë, ndaj sollëm festa me DJ, net live dhe evente që e kthyen zonën në një qendër verore për të gjitha moshat.
Çfarë mendon se kërkon një turist sot dhe si po i përgjigjeni këtyre pritshmërive?
Turisti sot kërkon përtej një dhome të pastër. Ai kërkon përvojë, kujtime, shërbim cilësor, ushqim të mirë dhe ndjesinë e veçantë që merr nga vendi ku pushon. Prandaj përqendrova energjinë te dizajni bashkëkohor, kuzhina cilësore dhe stafi profesionist. Këto janë elementët që bëjnë diferencën dhe që i kanë dhënë Albatrosit vlerësime pozitive nga mysafirët.
View this post on Instagram
Cili është qëllimi yt afatgjatë për këtë hotel dhe për Spillen si zonë turistike?
Vizioni im është që Albatrosi të bëhet një resort me pesë yje ndërkombëtare. Po punojmë për të ndërtuar një Spa & Wellness center, një qendër eventesh për koncerte, dasma e konferenca, si dhe për partneritete me brande globale që do e vendosin Spillen në hartën mesdhetare të turizmit. Dua që ky projekt të mos jetë vetëm për hotelin tim, por të ndikojë në zhvillimin e gjithë zonës.
View this post on Instagram
Nëse do t’i jepnit një mesazh turistëve të huaj, por edhe pushuesve vendas pse duhet të zgjedhin Spillen?
Spilleja nuk është vetëm një pushim. Është një kujtim që e merr me vete, një histori që të ndjek edhe pas verës. Albatrosi është prova se kur pasioni, sakrifica dhe vizioni bashkohen, një vend i thjeshtë kthehet në simbol. Kur vjen këtu, nuk je thjesht mysafir, por bëhesh pjesë e një historie që filloi me një familje dhe tani është bërë ëndërr e një brezi.