Polonia njoftoi mëngjesin e së mërkurës se i ka ngritur në ajër avionët luftarakë dhe e ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e quajtur këtë “akt agresioni”. Ushtria e Polonisë tha se dronët shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës, pasi Rusia e kishte nisur një valë sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë edhe afër kufirit me Poloninë.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shkroi në X se ishte njoftuar nga Komanda Operacionale e Ushtrisë lidhur me “rrëzimin e dronëve që u futën në hapësirën tonë ajrore dhe që mund të përbënin kërcënim”.

Ai tha se e ka njoftuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për veprimet e ndërmarra nga pala polake. Nuk raportohet për viktima në Poloni dhe mbetet e paqartë sa dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë. Ushtria tha se është duke kërkuar për mbetjet e dronëve të rrëzuar.

“Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, shkroi Komanda Operacionale e Ushtrisë në një postim në X.

Ky incident i ka rritur ndjeshëm tensionet në Varshavë dhe në radhët e anëtarëve të tjerë të aleancës ushtarake të NATO-s.

Ndërkohë, deri tani nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Polonia tha gjithashtu se i ka mbyllur katër aeroporte, përfshirë aeroportin kryesorin e vendit në Varshavë.

Rregullatori amerikan i aviacionit, Administrata Federale e Aviacionit (FAA), lëshoi një njoftim se edhe Aeroporti Rzeszow–Jasionka në juglindje është mbyllur. Ky aeroport është lidhje e rëndësishme për transportin e pasagjerëve dhe të armëve drejt Ukrainës. Sipas forcave ajrore të Ukrainës, pothuajse i gjithë vendi, përfshirë rajonet perëndimore të Volinit dhe Lvivit, janë nën alarm ajror në orët e para së mërkurës.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se rrëzimi i dronëve rusë në Poloni gjatë natës ishte hera e parë që kjo ndodh në territorin e NATO-s. Duke folur përpara një takimi urgjent të qeverisë, Tusk tha se hapësira ajrore polake u shkel nga një numër “i madh” dronësh rusë. Ai thotë se ato që përbënin kërcënim u rrëzuan nga pilotët polakë dhe të NATO-s.

“Kjo është hera e parë që dronë rusë janë rrëzuar mbi territorin e një vendi të NATO-s. Të gjithë aleatët tanë po e marrin situatën shumë seriozisht. Nuk kemi regjistruar asnjë viktimë”, thotë ai.

Ai shton se ndoshta ishte një “provokim në shkallë të gjerë” nga Rusia. Tusk thotë se kërkimi për dronë është duke vazhduar, por shton se nuk ka arsye për panik dhe situata tani është nën kontroll.

Ai thotë se është në kontakt me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Forcat e armatosura polake tani kanë përfunduar operacionin e tyre ushtarak të nisur nga shkeljet e dronëve. Aeroportet, përfshirë aeroportin kryesor ndërkombëtar, Varshavë Chopin, janë rihapur.

/REL