Elseid Hysaj ishte një nga më të mirët në fushë kundër Letonisë. Mbrojtësi i Kombëtares deklaroi se do të besojë deri në fund për kualifikimin në Botëror pasi shpresa vdes e fundit.

“Kemi pasur raste pozitive për të shënuar golin e dytë dhe tretë, por ja që nuk i shfrytëzuam mirë. Duhet të jemi të qetë dhe kënaqur nga kjo ndeshje sepse me të vërtetë ishte e rëndësishme, e fortë dhe që kemi harxhuar shumë lodhje fizike sepse duhej të fitonim me patjetër.

Gjithmonë po flasim edhe ne me veten, po i japim presion vetes, por kësaj herë duhet të gëzojmë të gjithë si çuna dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër.

Unë besoj se deri kur të thotë matematika që nuk mundemi të kalojmë me, aty besoj që duhet ta ndal besimin, sepse ne me të vërtetë kemi treguar edhe me skuadra të mëdha, që dimë të luajmë, të bëjmë gjëra të bukura, kështu që shpresa vdes e fundit. Unë i falenderoj gjithmonë tifozët, shpresoj që gjithmonë të jenë këtu në stadium sepse na japin një dorë të madhe për të fituar ndeshjen”, tha ai për mikrofonat e FSHF-së.