Asistentja historike e Pippo Baudos, Dina Minna, pas 36 vitesh në krah të tij, ishte e pranishme në Bracciano për leximin e testamentit të prezantuesit legjendar.

Ajo nisi punën me Baudo sapo mbushi 18 vjeç dhe nuk iu nda kurrë deri në ditën e fundit, duke e shoqëruar edhe në lamtumirën e fundit në Militello. Sipas Corriere della Sera, pas raportimeve të para nga Il Messaggero, Minna ishte në studion e noterit Renato Carraffa në Bracciano për leximin e testamentit. Pranë saj, vetëm dy fëmijët e Baudos: Tiziana dhe Alessandro.

Trashëgimia e prezantuesit, që vlerësohet rreth 10 milionë euro, iu nda të treve në pjesë pothuajse të barabarta. Pasuria e tij është fryt i një karriere të gjatë, ku spikasin 13 drejtimet e Festivalit të Sanremos, kontratat televizive, fushatat publicitare, të drejtat e imazhit dhe bizneset ku ishte i përfshirë. Një pjesë e madhe lidhet me pronat në Sicili (Noto dhe Sirakuzë) dhe në Romë e rrethina një në Fiano Romano dhe pesë të tjera në kryeqytet, midis lagjes Prati dhe qendrës historike.

Dina Minna nuk ishte thjesht një asistente. Përveç menaxhimit të angazhimeve profesionale, ajo e ka ndjekur Baudon me diskrecion edhe në planin personal, duke e mbështetur në çdo etapë të jetës. Ajo ishte pranë tij edhe gjatë homazheve në Teatrin Delle Vittorie në RAI, para se trupi i tij të përcillej në tokën ku lindi. Teksa i ishte afruar fundi, Minna u shpreh për ANSA:
«Ai donte të kthehej në Sicili, dhe kështu është e drejtë. E deshi shumë tokën e tij dhe nuk pati kurrë frikë të fliste hapur për ta parë të lirë nga mafia. Kur i dilte mundësia, nuk mbante asgjë brenda fliste gjithmonë».

Shpesh ajo e ka përshkruar humbjen e Baudos si humbjen e një babai, duke nënvizuar lidhjen e fortë që i bashkoi për më shumë se tre dekada. Pikërisht për këtë arsye ishte edhe pranë fëmijëve të tij në momentin e leximit të testamentit. Djali i madh, Alessandro, i lindur më 1962 nga lidhja me Mirella Adinolfi, u njoh si bir i Baudos vetëm në moshën 30-vjeçare. Ndërsa Tiziana është vajza e martesës me Angela Lippi. Gjatë ceremonisë mortore, ajo u shpreh:
«Faleminderit për dashurinë e pafundme për babin tim, një njeri i ndershëm, i sjellshëm dhe me një zemër të madhe».

Në leximin e testamentit nuk ishte i pranishëm avokati dhe miku i familjes, Giorgio Assumma, të cilit – sipas gjasave – mund t’i jetë besuar detyra për të shpërndarë një pjesë të pasurisë së Baudos në formë donacionesh për shoqata bamirësie.