IKEA ka zbuluar koleksionin e ri në bashkëpunim me dizajnerin suedez Gustaf Westman, një emër i njohur për format e rrumbullakëta, ngjyrat e guximshme dhe qasjen e tij lozonjare ndaj dizajnit. Koleksioni është pjesë e linjës dimërore VINTERFINT dhe përfshin 12 artikuj të përditshëm që synojnë të sjellin frymë feste, jo vetëm gjatë Krishtlindjes, por gjatë gjithë vitit.

Në qendër të këtij koleksioni është pjata e veçantë për meatballs një simbol i kuzhinës suedeze dhe vetë identitetit të IKEA-s. Për herë të parë, topat e famshëm të mishit marrin enën e tyre dedikuese, të dizajnuar posaçërisht për të shërbyer si qendër e tryezës.

Koleksioni përfshin pjata, filxhanë, vazo spirale, qirinj dekorativë dhe ndriçues LED. Ngjyrat variojnë nga e kuqja dhe e gjelbra tradicionale festive, deri te tonet e papritura si rozë “bubble-gum” dhe blu e lehtë, të cilat krijojnë kontrast dhe thyejnë formalitetin klasik të festave.

Westman njihet për dizajnin e tij të butë, plot humor dhe në këtë koleksion ka sjellë pikërisht atë: objekte që nuk janë vetëm funksionale, por edhe bisedë më vete në çdo ambient shtëpie.

Sipas IKEA-s, qëllimi ishte të krijohej një tryezë ku festa të mos kufizohej në datat kalendarike. Westman e përkufizon qasjen si “dizajn për të gjithë, me pak më shumë gëzim”. Koleksioni është i përballueshëm dhe i aksesueshëm, duke sjellë estetikën e tij të veçantë në një audiencë globale, pa humbur parimin e “democratic design” që IKEA predikon prej dekadash.

Ky projekt është i pari i madh për Westman me një markë ndërkombëtare, duke i dhënë atij ekspozim më të gjerë përtej kufijve nordikë. Për IKEA-n, është një hap i qëlluar për të forcuar imazhin e saj si markë që ndjek trendet dhe bashkëpunon me dizajnerë të rinj për të sjellë frymë inovative në çdo shtëpi.

Konsumatorët, ndërkohë, fitojnë artikuj që mund të përdoren gjatë gjithë vitit, jo vetëm për një sezon. Ky është një nga elementët që e dallon koleksionin: përtej dekorit festiv, çdo objekt është i menduar për të qenë praktik dhe i gëzueshëm në përditshmëri.