Supermodeli Elton Ilirjani vazhdon të jetë i preferuari i stilistit vizionar Malan Breton, me të cilin ka shënuar bashkëpunime të suksesshme ndër vite. Këtë herë, ai ndezi pistën e New York Fashion Week me një prezantim që tejkaloi kufijtë e modës, duke u shndërruar në një teatër të katër akteve “The Age of the Machine, The Heart of Humanity” ku teknologjia dhe zemra njerëzore takohen në kontrast dhe harmoni. Nga strukturat e sofistikuara tek teksturat e pasura të Gilded Age, çdo detaj ishte një tregim më vete.
Në këtë narrativë të fuqishme, Ilirjani u shfaq si figurë kyçe, duke mbyllur shfaqjen me një prani që sfidoi normat dhe tejkaloi rolin tradicional të modelit. Ai mishëroi idenë e transformimit dhe guximin për të jetuar lirinë pa kufij, duke i dhënë koleksionit një energji unike diversiteti dhe përfshirjeje. Çastet e tij në pistë nuk ishin thjesht modë, por një deklaratë, një kujtesë se inkluzioni dhe individualiteti janë po aq të rëndësishme sa couture dhe mjeshtëria.
Shfaqja mbante gjithashtu një mision human, duke ngritur ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj të prekurve nga Alzheimer’s përmes modës, duke nënvizuar se arti dhe moda mund të shërbejnë si ura për mesazhe që prekin shoqërinë.
Malan Breton dhe Elton Ilirjani krijuan një moment që tashmë renditet mes kapitujve më të paharrueshëm të Javës së Modës në New York: një përplasje mes së ardhmes dhe njerëzores, ku moda nuk vishet vetëm, por ndjehet.
Portale prestigjioze si Forbes, Elle, Harper’s Bazaar, Madame Figaro, Marie Claire, Fashion Magazine dhe të tjera i kanë kushtuar hapësirë të veçantë kësaj sfilate. Dhe ndonëse Java e Modës në New York është ende në zhvillim, është e qartë se prania e Ilirjanit ka lënë tashmë një gjurmë të fortë.