Një koincidencë sa e rastësishme, aq edhe e bukur. Aty ku këshillohesh për të planifikuar një shtatzëni, aty ku nënat sjellin në jetë krijesat e tyre – në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, 10 nga infermieret dhe mamitë janë njëherazi në pritje të ëmbël.
Kanë përjetuar çdo emocion të nënave – nga momentet para lindjes, te e qara e parë e bebes – e tani, kur edhe vetë do të mbajnë në krahë fëmijët e tyre, gjithçka do të marrë një kuptim tjetër.
“Jam 11-javëshe. Barku mezi duket, por e kam parë beben. Tani e tutje do të jem edhe më e ndjeshme në kujdesin ndaj bebeve të tjera”, thotë një nga infermieret.
View this post on Instagram
Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” janë rreth 170 infermiere dhe mami, dhe kjo rastësi e bukur ka emocionuar të gjithë ekipin mjekësor, të cilët po i mbështesin me shumë dashuri koleget e tyre.
Eliona Demaliaj, mjeke në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” thotë: “Jemi shumë të emocionuara. Në fund të ditës, të gjithë këta që ofrojnë shërbim janë njerëz… dhe janë edhe nëna.”
Përveçse një histori njerëzore, kjo rastësi e bukur duket se sfidon statistikat e rënies së lindshmërisë në vend.
Burimi: Top Channel