Të gjithë e duam të ëmblën — bebet gjithashtu.
Qumështi i gjirit ka një shije pak të ëmbël, pra bebet që nga fillimi janë të njohura me shijen e ëmbël.
Nëse fillohet me fruta të ëmbla, bebet i pranojnë menjëherë — por nuk mësohen me shije të tjera (si p.sh. hidhësia e lehtë e brokolit, kungulleshkës ose spinaqit).
Muajt e parë të ushqyerjes janë një “dritare” shumë e rëndësishme për zhvillimin e shijeve.
Ato ushqime që një foshnjë i provon shpesh në këtë fazë, më vonë do t’i pranojë më lehtë edhe kur të rritet.
Nëse fillon me perime si karrota, kungull, pastinak, foshnja mëson:
“Edhe kjo është normale dhe e shijshme.”
Nëse fillohet me fruta, perimet shpesh refuzohen.
Kjo ndodh sepse frutat janë të ëmbla dhe truri i përjeton si shpërblim të menjëhershëm, ndërsa perimet janë më të holla në shije, ndonjëherë edhe pak hidhura.
Sekreti është: ofro fillimisht ato ushqime që mund të duken më të vështira, që fëmija të mësohet me to si “diçka normale”.
Frutat mund të shtohen më vonë në vaktin e pasdites.
Si ta bëjmë siç duhet?
Mund të bësh kombinime të lehta — p.sh. brokoli me pak misër, patate e ëmbël me patëllxhan, kungull me karrotë, etj., për t’ia zbutur shijen.
Disa strategji se si të bëjmë që fëmijët t’i pranojnë nëse nuk kanë nisur që në fillim me perimet:
1. Durim & përsëritje
Foshnjat duhet shpesh të provojnë të njëjtën perime derisa ta pranojnë.
Edhe nëse në fillim e refuzojnë, vazhdo pa presion.
Ofron sasi të vogla rregullisht — edhe nëse fëmija vetëm e shikon ose e lëpin, edhe kjo është një hap përpara.
2. Provo mënyra të ndryshme përgatitjeje
Disa foshnja pëlqejnë më shumë karrotën të papërpunuar se të zier, ose brokolin të butë të zier në avull në vend të puresë.
Provo ta pjekësh, ta ziesh në avull, ta bësh pure, ta presësh në shkopinj, ose ta aromatizosh pak me erëza të buta si muskat apo trumzë.
3. Kombino perimet me ushqime të njohura
Përzieji perimet me diçka që fëmija tashmë e pëlqen (p.sh. patate, makarona, djathë ose pak pure frutash për perime të hidhura si spinaqi).
Shembull: pure karrote me patate, ose brokoli me pure misri të ëmbël.
4. Ushqehu vetë me perime – ji shembull
Kur ti vetë e ha perimen me qejf, fëmija e sheh: “Aha, kjo është normale.”
Foshnjat mësojnë shumë përmes imitimit — hani bashkë kur është e mundur.
5. Bëje ushqimin lojë – pa detyrim
Krijo forma me perime, p.sh. brokoli si pemë të vogla, ose fytyra me spec dhe kastravec.
Mos jep shpërblime (si “Do marrësh ëmbëlsirë po hëngre perimen”) — kjo shpesh e bën edhe më keq.
6. Krijo një atmosferë të qetë
Pa stres, pa detyrim — ushqimi duhet të jetë diçka e këndshme.
Nëse sot nuk ha asgjë, nuk ka problem — nesër është një ditë e re.
Fillimi i ushqyerjes është më shumë sesa thjesht të hash — është hapi i parë drejt një marrëdhënieje të shëndetshme me ushqimin.
Duke i ofruar foshnjës shije të ndryshme që në fillim, sidomos perimet, ne nuk po ndërtojmë vetëm vakte, por zakone që zgjasin një jetë.
Me durim, dashuri dhe një lugë me ngjyra, çdo fëmijë mund të mësojë të dojë edhe brokolin.
Photo by Yan Krukau:
https://www.pexels.com/photo/a-woman-harvesting-red-peppers-and-tomatoes-at-the-garden-5479515/