Mbrëmjen e së martës, rrjetet sociale u pushtuan nga lajmi se reperi i njohur nga Ferizaj, Mozzik, ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinës nga policia doganore dhe ishte dërguar në mbajtje për 24 orë. Shkaku i ndalimit, sipas raportimeve, lidhej me dy orë luksoze me vlerë të lartë, që gjendeshin në posedimin e artistit.

Lajmi shpërtheu me shpejtësi dhe ndezi debate të shumta mes fansave, të cilët nisën të spekulonin mbi të ardhmen ligjore të reperit.

Por vetëm pak orë më vonë, situata mori një kthesë të papritur. Avokati i Mozzik, Arianit Koci, reagoi publikisht duke hedhur poshtë çdo pretendim.

“Në momentin që po qarkullonin lajmet, Mozzik ishte duke pirë kafe me mua. Arrestimi nuk ka ndodhur. Informacion i pavërtetë dhe pa asnjë bazë ligjore,” – shkroi Koci në rrjetet sociale.

Në këtë mes nuk mungoi as vëllai i tij, reperi Getinjo, i cili reagoi me humor në InstaStory:
“Mos bëni zhurmë, zhurmë bën vetëm gjeneratori,” – duke ironizuar gjithë situatën dhe duke minimizuar spekulimet mediatike.

Ngjarja mbetet ende e paqartë, pasi deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet. Fansat presin me kuriozitet një reagim direkt nga vetë Mozzik, i cili deri më tani ka qëndruar në heshtje.