Robert Redford u nda nga jeta natën, në shtëpinë e tij mes maleve të Utah, në moshën 89-vjeçare. Lajmin e dha zëdhënësja e tij, Cindi Berger: «Vdiq në gjumë», shpjegoi ajo pa dhënë detaje të tjera. Me të humbet jo vetëm një nga aktorët më ikonikë të kinemasë amerikane, por edhe regjisori e producenti që ndoshta më shumë se kushdo tjetër dinte të ndryshonte rregullat e lojës, duke i dhënë jetë Festivalit Sundance dhe vetë idesë së kinemasë së pavarur.

Biond, me buzëqeshje të gjerë dhe një karizëm prej “djali të artë” të përjetshëm, Redford ishte për dekada fytyra e një Amerike që dinte të shihte veten në pasqyrë, edhe në kontradiktat e saj. Nga banditët melankolikë të Butch Cassidy and the Sundance Kid (1969), te gazetaria e pamëshirshme e All the President’s Men (1976), e deri te portreti kritik i CIA-s në Three Days of the Condor (1975), interpretimet e tij nuk ishin thjesht argëtim: ato bëheshin çelësa leximi të kohës. Në The Sting (1973), në çift me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij Paul Newman, arriti kandidaturën e tij të vetme për Oscar si aktor.

Hollywood-i e kurorëzoi si sex symbol, por Redford nuk ishte kurrë një yll i thjeshtë posterash. Karriera e tij si protagonist romantik u ndriçua nga partneret që e shoqëruan: Jane Fonda, Barbra Streisand, Meryl Streep. Jo më kot, kritika Pauline Kael shkroi se ai nuk kishte qenë kurrë “kaq magjepsës sa përmes syve të dashuruar të Barbra Streisand”.

Në moshën dyzetvjeçare vendosi të kalonte pas kamerës. Filmi i tij i parë si regjisor, Njerëz të zakonshëm (1980), fitoi Oscar për regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë, duke treguar me delikatesë shpërbërjen e një familjeje borgjeze pas një humbjeje. Pasuan vepra më pak të drejtpërdrejta por gjithmonë personale, si Në mes rrjedh lumi (1992) me Brad Pitt, dhe Quiz Show (1994), që i solli një tjetër nominim për Oscar.

Goditja e tij më e madhe erdhi jashtë xhirimeve. Në vitin 1981, themeloi Sundance Institute, me idenë për t’u dhënë zë autorëve të rinj larg mekanizmave të Hollywood-it. Pak vite më vonë, ai shndërroi një festival të vogël në Utah në një ngjarje globale: Sundance Film Festival. Aty kaluan regjisorë si Quentin Tarantino, Steven Soderbergh, Chloé Zhao, Darren Aronofsky. Festival i cili u bë vatër edhe për dokumentarë mbi të drejtat civile, ambientin dhe identitetin LGBTQ+. “Dua që spekulatorët, markat e vodkës dhe VIP-at e rremë të zhduken përgjithmonë nga këtu”, shpërtheu ai në 2012, kur festivali tashmë ishte kthyer në një makineri gjigante.

Figura e tij si yll i rezervuar përputhej me jetën private: Redford preferonte ranch-in e tij në Utah sesa festat e Los Anxhelosit. Dhe ndërsa Hollywood-i e ndiqte, ai zhvillonte beteja mjedisore: në vitet ’70 kundërshtoi ndërtimin e autostradave dhe centraleve me qymyr, duke paguar shpesh me protesta të dhunshme. Për tri dekada qe anëtar i Natural Resources Defense Council dhe u bë pikë referimi për aktorë-ambientalistë si Leonardo DiCaprio dhe Mark Ruffalo. «Nuk jam aktivist, nuk më pëlqen ajo etiketë», thoshte. Por në të vërtetë ishte i tillë.

Sigurisht, pati edhe momente të vështira: kritika të ashpra për interpretimin në I madhi Gatsby (1974), dështime financiare si kolapsi i zinxhirit të kinemave Sundance Cinemas, tragjedi familjare që e shënuan. Megjithatë, ai dinte gjithmonë të rindërtohej, edhe në moshë të thyer. E paharrueshme performanca e tij thuajse pa dialog në All Is Lost  (2013), që shumë e konsiderojnë aktin e tij të fundit të madh ndaj kinemasë.

Rolit e tij të fundit kishin brenda një ndjenjë të ëmbël melankolie: Shpirtrat tanë natën (2017), sërish me Jane Fonda, dhe Old Man & the Gun (2018), lamtumira e tij zyrtare nga aktrimi. «Vendosa të ndalem», tha atëherë, i vetëdijshëm se trupi nuk e mbante më ritmin e dikurshëm.

Redford lë pas gruan e tij, Sibylle Szaggars, vajzat Shauna dhe Amy, si dhe shtatë nipër e mbesa. Por mbi të gjitha, lë një trashëgimi që shkon përtej filmave dhe çmimeve: idenë se kinemaja mund të jetë njëkohësisht art, ndërgjegje qytetare dhe angazhim personal. Ajo kokëfortësi që e shtyu, si aktor i ri, të mos rruante mustaqet për Butch Cassidy, e shoqëroi deri në fund. Autentik, rebel, i ndritshëm. Gjithmonë e përjetësisht Robert Redford.