Programi i qeverisë Rama 4 është bërë publikm ditën e sotme. Një ditë pasi do të diskutohet në Kuvend, ky program, i siguruar dhe nga Dosja.al, është i bazuar në 3 shtylla kryesore. Programi, i cili është 59 faqe, mbështetet në tre shtylla kryesore: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.
Në program shkruhet se anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 mbetet prioriteti kryesor. Ndërkohë që synohet të forcohet shteti i së drejtës, të modernizohet administrata digjitale, të zhvillohet ekonomia dhe të përmirësohen shërbimet për qytetarët.
Shqipëria Europiane është shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme. Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa mbi të gjitha është përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e
tyre të përditshme – në punën që bëjnë, në shërbimet që marrin, në të drejtat që gëzojnë dhe në sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë.
Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë modern – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore – që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi.
Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme.