Shqipëria ndodhet përballë një ndryshimi që për shumëkënd shënon një pikë kthese të rrezikshme për strukturën tradicionale të shoqërisë.
Deri më tani përcaktimi gjinor në Shqipëri njeh vetëm burrin dhe gruan. Por projektligji për “Barazinë Gjinore”, i dorëzuar në parlament, ka ndryshuar nga drafti fillestar. Ai sjell përkufizim të ri, ku termi gjini sipas tekstit, ka kuptim gjithëpërfshirës, duke parashikuar, në këtë mënyrë identitete të tjera, përtej atyre klasik, burrë-grua.
Fillimisht, kur projektligji për barazinë gjinore u hodh për konsultim publik në mars, Neni 4, ishte fare i qartë: Gra dhe burra, në kuptim të këtij ligji, nënkupton edhe vajza dhe djem. Fjala “gjithëpërfshirëse” është futur edhe në disa nene të tjera të projektligjit duke treguar se nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim gjuhësor, por për një zgjerim të qëllimshëm që i jep status juridik kategorive të reja gjinore. Këtë e përforcon dhe termi, po në të njëjtin nen “shprehje gjinore”, që nënkupton se gjithkush mund të deklarojë gjininë që dëshiron.
Por gjatë procesit të konsultimeve, Aleanca LGBTI kërkoi që përkufizimi të zgjerohej “përtej konceptit binar burrë-grua”, duke përfshirë identitete të tjera gjinore.
Kjo kërkesë u pranua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në dokument parashikohet futja e edukimit gjinor në shkolla, me qëllim “ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi diversitetin”. “Subjektet, që ofrojnë arsimim të përgjithshëm dhe profesional, kualifikim e trajnim, si dhe ata që hartojnë dhe miratojnë tekstet, programet dhe materialet e tjera mësimore, në të gjitha nivelet, sigurojnë përfshirjen e edukimit gjinor në kurrikulat shkollore dhe mësimdhënien e njohurive të nevojshme të koncepteve themelore që lidhen me individët dhe grupet dhe përdorin metoda mësimdhënieje, trajnimi e kualifikimi, në mënyrë të tillë që të ndihmojnë në promovimin, nxitjen dhe formimin e edukatës së barazisë dhe në ndalimin e diskriminimit me bazë gjinore, të stereotipave gjinore, paragjykimeve dhe praktikave të dëmshme zakonore, pabarazive gjinore për shkak të përkatësisë së shumëfishtë ose të çdo lloji tjetër që cenojnë parimet e barazisë gjinore”, – citohet në projektligj.
Megjithatë, projektligji nuk jep një listë konkrete të gjinive jo-binare, pra atyre që shkojnë përtej konceptit të deritanishëm burrë-grua. Në debatet ndërkombëtare për identitetin gjinor, disa studiues numërojnë deri mbi 70 identitete të ndryshme, çka do e bënte edhe më të ndërlikuar zbatimin praktik të ligjit.
Shumë prindër e kanë cilësuar këtë si një formë indoktrinimi që cenon themelet e edukimit dhe traditës.
Për shumë ekspertë që janë njohur me dokumentin në fjalë, kjo nuk është thjesht një nismë për barazi, por një pjesë e qartë e agjendës ndërkombëtare LGBT .
Kritikët paralajmërojnë se pas këtij hapit të parë, nuk do të vonojnë kërkesat për legalizimin e martesave mes të njëjtit seks, adoptimin e fëmijëve nga çifte LGBT dhe transformime të tjera radikale.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë