Gazetarja, autorja dhe moderatorja e njohur Mira Kazhani ka zgjedhur ta ndajë me publikun ndoshta kapitullin më të vështirë të jetës së saj. Përmes podcastit të saj 'Zë me Mirën' ajo ka rrëfyer mes emocioneve dhe lotëve se prej më shumë se një viti është duke luftuar me kancerin e gjirit.
“U diagnostikova më 2 nëntor 2024. Ajo ditë ishte dimri i jetës sime. Në podcaste shihnit vetëm gjysmën time, ndërsa pjesa tjetër zhvillohej në një betejë të gjatë me sëmundjen”, u shpreh Kazhani, duke e përshkruar momentin e diagnozës si një tronditje të papritur që i ndryshoi gjithçka.
Gazetarja tregoi se zgjodhi të heshtte dhe të përqendrohej tek shërimi, larg syrit të publikut, duke mos dashur të bëhej “lajm në rrjet”. Me mirënjohje, ajo theksoi se kolegët e saj nuk e zbuluan historinë para kohe, duke i dhënë asaj qetësinë e nevojshme dhe duke mos shqetësuar prindërit, të cilët më në fund e mësuan të vërtetën.
“Nuk ka kancer të lehtë, është makth. Edhe kur zbulohet në fazat e para, mbetet një plagë e rëndë për trupin dhe shpirtin”, tha ajo me sinqeritet, duke shtuar se forcën e ka gjetur tek rrëfimet e grave të tjera që kanë kaluar të njëjtin kalvar.
Kazhani ka vendosur ta dokumentojë këtë periudhë në librin e saj “Një ditë tjetër”, ku përveç dhimbjes dhe frikës, ka gdhendur edhe shpresën, guximin dhe mirënjohjen për jetën. “Gjithmonë kam besuar tek rrëfimi. Ky është podcasti më i vështirë i jetës sime, ndaj sot përballë kam ulur një shoqe jete”, rrëfeu ajo, duke e kthyer dhimbjen në një mesazh të fortë për të gjitha gratë.
View this post on Instagram