Supermodelja Bella Hadid ka tronditur ndjekësit e saj në rrjetet sociale pas publikimeve të bëra gjatë 24 orëve të fundit, ku shfaqet në shtrat spitali, e lidhur me infuzione dhe me pajisje mjekësore pranë. Në disa prej fotove ajo shfaqet me lot në sy dhe me një shenjë në ballë.

Në përshkrimin e postimeve, Bella u kërkoi ndjesë ndjekësve për mungesën e saj në rrjete: “Më vjen keq që gjithmonë zhdukem pa gjurmë… ju dua shumë.”

 


Familja e saj nuk ka munguar me mbështetje. Motra e saj, Gigi Hadid, i ka dërguar mesazhe inkurajimi, ndërsa nëna e tyre, Yolanda Hadid, e ka quajtur Bellën “Lyme warrior” (luftëtare e Lyme-s), duke iu referuar sëmundjes kronike me të cilën modelja është diagnostikuar që prej vitit 2012.

Edhe pse Bella nuk ka dhënë ende detaje mbi gjendjen e saj të fundit shëndetësore apo arsyet që e kanë çuar sërish në spital, imazhet e publikuara dëshmojnë për një periudhë të vështirë. Modelja ka folur shpesh gjatë viteve të fundit për betejën e saj me sëmundjen Lyme, simptomat e së cilës përfshijnë lodhje ekstreme, dhimbje të vazhdueshme dhe probleme shëndetësore të përsëritura.

Ndërkohë, fansat nga e gjithë bota kanë mbushur rrjetet sociale me mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim sa më të shpejtë.