Cardi B ka konfirmuar se është shtatzënë për herë të katërt. Lajmi u bë publik në një intervistë ekskluzive për “CBS Mornings”, ku artistja rrëfeu emocionet e mëdha që po përjeton në këtë periudhë të jetës. Ky është fëmija i parë me partnerin e saj aktual, yllin e NFL-it Stefon Diggs, ndërsa Cardi është tashmë nënë e tre fëmijëve nga martesa e saj e mëparshme me reperin Offset.
Gjatë intervistës, Cardi u shfaq e buzëqeshur, duke treguar se shtatzënia e ka bërë të reflektojë edhe më shumë mbi ekuilibrin mes karrierës dhe familjes.
“Jam e lumtur. Ndihem mirë. Ndihem shumë e fortë, shumë e fuqishme që arrij të bëj kaq shumë gjëra, ndërsa po krijoj një bebe,” – u shpreh ajo.
Reperja tha gjithashtu se partneri i saj, Stefon Diggs, i qëndron pranë dhe e mbështet në çdo hap, gjë që e ka ndihmuar të ndihet më e sigurt dhe më e qetë përballë sfidave.
Cardi B pranoi se nuk e dha menjëherë lajmin e shtatzënisë, pasi dëshironte të sigurohej fillimisht për shëndetin e foshnjës dhe të përmbyllte disa angazhime profesionale. Madje, ajo tha me humor se ende nuk ua kishte thënë prindërve, pasi dëshironte që çdo gjë të ishte e përgatitur siç duhet.
Pavarësisht shtatzënisë, reperja nuk ka ndërmend të ndalë ritmin. Albumi i saj më i ri, me titull provokues “Am I The Drama?”, pritet të publikohet së shpejti. Ndërsa në shkurt 2026 ajo do të nisë turneun “Little Miss Drama Tour”, dhe ka konfirmuar se do të kthehet në skenë për prova vetëm pak kohë pas lindjes.