Televizioni amerikan ABC ka pezulluar përkohësisht emisionin e njohur “Jimmy Kimmel Live!”, pas komenteve të ashpra që prezantuesi bëri ndaj konservatorëve republikanë në lidhje me vrasjen e aktivistit të djathtë, Charlie Kirk.
Vendimi erdhi pasi Kimmel akuzoi publikisht disa figura të lëvizjes MAGA për përpjekje manipulimi të ngjarjes, duke u përpjekur, sipas tij, të devijonin përgjegjësinë dhe të ndryshonin narrativën rreth autorit të krimit.
“Ne arritëm disa nivele të reja fundjavën e kaluar, me bandën MAGA që po përpiqet me dëshpërim të karakterizojë këtë djalë që vrau Charlie Kirk si dikë tjetër dhe po bën gjithçka që mundet për të përfituar politikisht nga kjo.”-tha ai.
Ai gjithashtu kritikoi reagimin e Presidentit Donald Trump ndaj ngjarjes:
“Kjo nuk është mënyra se si një i rritur vajton vrasjen e dikujt që e quan mik. Kjo është mënyra se si një fëmijë katërvjeçar vajton një peshku ari.”
Pas transmetimit, kompania Nexstar Communications, që zotëron disa stacione lokale të lidhura me ABC, njoftoi se nuk do ta shfaqte më për momentin emisionin e Kimmel, duke i quajtur deklaratat e tij “të papërshtatshme në një moment të ndjeshëm politik”.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Kryetari i Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Brendan Carr, i cili e kritikoi ashpër gjuhën e përdorur nga Kimmel, duke paralajmëruar se ABC mund të përballet me pasoja ligjore dhe rregullatore nëse nuk tregon kujdes në përmbajtjen që transmeton.
Ky vendim ka ndezur menjëherë debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes në Amerikë. Demokratët në Kongres kanë ngritur shqetësime se ky është një rast ku pushteti po ushtron presion për të heshtur kritikët e tij.
Madje edhe ish-presidenti Barack Obama reagoi, duke e cilësuar pezullimin si “një moment të rrezikshëm ku qeveria dhe institucionet e lidhura me të po përpiqen të kufizojnë fjalën e lirë përmes presionit mbi mediat”.
Ndërkohë, organizata dhe analistë të mediave kanë paralajmëruar se krijimi i një precedenti të tillë rrezikon të cenojë pavarësinë e programeve televizive, veçanërisht të atyre satirike apo “late-night”, që tradicionalisht shërbejnë si kritikë politike.
Për momentin, ABC nuk ka dhënë një afat të qartë për rikthimin e “Jimmy Kimmel Live!”. Nuk dihet nëse prezantuesi do të kërkojë falje publike apo do të qëndrojë në qëndrimet e tij. Ndërkohë, në rrjete sociale po qarkullojnë thirrje për bojkot të ABC dhe kompanisë mëmë Disney, duke e kthyer këtë çështje në një tjetër betejë të ndezur në kulturën amerikane.
Një gjë është e sigurt: pezullimi i Jimmy Kimmel ka tejkaluar kuadrin e një emisioni televiziv dhe tashmë është shndërruar në një test të hapur mbi sa e lirë është fjala e lirë në një shoqëri të polarizuar politikisht.