Në 18 shtator 2025 shënohet një vit nga ndarja e papritur nga jeta e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak.
Në këtë ditë përkujtimore, bashkëshortja e tij, Edlira Çepani, ka ndarë një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale, ku shpreh dhimbjen dhe boshllëkun e madh që ka lënë mungesa e tij.
“1 vit pa ty Gert! Duket edhe si një përjetësi, por edhe sikur ishte dje që na dhe përqafimin e fundit… Dhimbja nuk kalon me kohën, thjesht na e lehtësojnë pak barrën njerëzit që na duan e tek të cilët gjejmë mbështetje dhe ngushëllim,” – shkruan ajo.
Edlira thekson se gjatë këtyre 12 muajve ka gjetur forcë tek mbështetja e miqve dhe dashamirësve, të cilët e kanë kujtuar Bogdanin me respekt e mall.
“Jemi të bekuar se kaq shumë njerëz na kanë dashur e na duan fort, kaq shumë miq nga e gjithë bota që të kujtojnë me mall dhe respekt. Sot janë sërish duke të kujtuar ty, si një dritë që ndriçoje zemrat e kujtdo që kishe pranë.”
Në fund, ajo premton se do të vazhdojë misionin e tij, duke ngritur lart vlerat dhe kauzat për të cilat Bogdani kishte luftuar.
“Ne do e vazhdojmë hap pas hapi misionin tënd, do t’i ngremë lart gjithë vlerat dhe kauzat për të cilat ti luftove fort, deri sa të kemi jetë! Të duam pafund e do jemi çdo ditë plot mall, deri ditën kur të takohemi sërish, drita jonë!”
View this post on Instagram