Thashethemet në industrinë e muzikës po marrin zjarr: Adele mund të jetë emri i madh që do të ngjitet në skenën gjigante të Super Bowl 2026 në Santa Clara, Kaliforni. Burime për Page Six thonë se këngëtarja britanike është në bisedime për spektaklin e madh, por ende nuk ka një marrëveshje zyrtare.
Përveç Adele-s, në listën e emrave të përfolur janë edhe Taylor Swift, tifozja më e madhe e Kansas City Chiefs, si dhe Miley Cyrus, e cila ende nuk e ka provuar këtë skenë madhështore.
Adele, 37 vjeçe, nuk është e huaj për Super Bowl-in. Ajo ka qenë disa herë si spektatore, madje në një koncert në Las Vegas pranoi me humor:
“Vitin e kaluar shkova, por sigurisht jo për futbollin. Shkova për të parë Rihannën. Nuk më intereson fare futbolli.”
Në fakt, në vitin 2016, Adele pranoi publikisht se kishte refuzuar një ftesë për Super Bowl 2017, duke thënë:
“E para, nuk do e bëj. Ai spektakël nuk ka të bëjë me muzikën. Unë nuk di të kërcej. Ata ishin shumë të sjellshëm që më pyetën, por unë thashë jo.”
Megjithatë, këtë herë situata duket ndryshe. Organizimi i performancës është në dorën e Jay-Z’s Roc Nation në bashkëpunim me NFL, dhe shpallja zyrtare pritet në muajin shtator.
Komisioneri i NFL, Roger Goodell, e la të hapur mundësinë edhe për Taylor Swift.
Do të donte publiku të shihte një Adele të qetë e solemne në mes të një stadiumi plot energji apo ndoshta është koha që Swift ose Cyrus ta marrin skenën?