Situata e Jimmy Kimmel ka marrë përmasa të mëdha pas vendimit për të pezulluar emisionin e tij të famshëm “Jimmy Kimmel Live!” nga ekrani i ABC. Vendimi erdhi pasi prezantuesi u kritikua ashpër për komentet e tij mbi vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje më 10 shtator gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-ut.
Kompania gjigante mediatike Sinclair, që zotëron rrjetin më të madh të filialeve të ABC, ka vendosur një listë kërkesash të qarta:
-Kimmel të kërkojë një falje publike drejtuar familjes së Kirk.
-Të bëjë një donacion personal për familjen Kirk dhe organizatën Turning Point USA.
Por sipas burimeve të Deadline, Kimmel, 57 vjeç, është i vendosur të mos bëjë asnjërën prej tyre. Ai mësoi për pezullimin e tij pas një telefonate të shkurtër nga ABC, gjë që e ka lënë “absolutisht të tërbuar”, sipas raportimeve të Daily Mail.
Zëvendëskryetari i Sinclair, Jason Smith, i quajti komentet e Kimmel “të papërshtatshme dhe të pandjeshme në një moment kritik për vendin”. Edhe FCC ka sinjalizuar se mund të shqyrtojë rastin, ndërsa komisioneri Brendan Carr e cilësoi sjelljen e tij “një nga më të sëmurat e mundshme”.
Nga ana tjetër, ish-presidenti Donald Trump nuk humbi rastin për të shigjetuar Kimmel. Në platformën e tij Truth Social, ai shkroi:
“Lajm i madh për Amerikën: Emisioni i Kimmel është i ANULUAR. Urime ABC që tregoi guximin për të bërë atë që duhej.”
Trump shtoi se Kimmel ka “zero talent” dhe “shikueshmëri më të ulët se Colbert”, duke kërkuar që edhe NBC të veprojë njësoj me konkurrentët e tij.
Komentet e Kimmel që shkaktuan zemërimin u transmetuan të hënën, kur ai tha se “MAGA gang” po përpiqej të paraqiste autorin e vrasjes së Kirk si diçka tjetër nga ç’ishte. Por në Instagram, ai u shfaq më i përmbajtur, duke shkruar:
“Në vend të gishtave plot zemërim, a mund të biem dakord për një ditë të vetme që është e tmerrshme dhe monstruoze të vrasësh një qenie tjetër njerëzore?”
Megjithatë, për momentin, kjo nuk ka mjaftuar për të shpëtuar karrierën e tij në ABC, teksa e ardhmja e emisionit mbetet e pasigurt.